- March 24, 2022
- Posted by: marigone
- Category: Balline, Uncategorized @sq
Më 10 shkurt, 105 vjet më parë lindi Musine Kokalari, disidente, shkrimtare, aktiviste dhe bashkëthemeluesja e Partisë Socialdemokrate të Shqipërisë. Kujtojmë Musinen në këtë përvjetor për guximin dhe shembullin që ajo ofroi në përballjen me diktaturën enveriste, që i kushtoi me 20 vjet burg dhe izolim nga regjimi totalitar. Ajo u ngrit kundër hegjemonisë e monopolit të partisë-shtet, parti kjo që insistonte në mendim të njëtrajtshëm e në aktivizëm njëdimensional politik, sipas diktatit të partisë, e nën konceptimin nga lartë poshtë të mënyrës sesi e kuptojmë atdheun, atdhedashurinë dhe të mirën e përgjithshme.I rezistoi dhunës sistemore, por edhe asaj patriarkale, duke luftuar stereotipet ndaj grave dhe vajzave. Në figurën e Musines gjejmë të gërshetuara tri veçori themelore të aktivitetit politik e lirisë njerëzore : intelektualitetin, vendosmërinë dhe qëndrueshmërinë. Ajo e thoshte (shkruante) atë që e mendonte, vepronte ashtu siç ishte e bindur dhe frymonte ashtu siç fliste. “Nuk kam nevojë që të jem komuniste për ta dashur vendin tim! Unë e dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua progresin e tij. Edhe pse ju keni fituar luftën, edhe pse ju keni fituar zgjedhjet, ju nuk mund t’i persekutoni ata që kanë mendime të ndryshme politike nga ato tuajat. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju po më dënoni për idetë e mia. Unë nuk kërkoj falje, sepse unë nuk kam bërë asnjë faj!”- Musine Kokalari në mbrojtjen e saj para gjyqit.