Shkelja e të drejtave të punës së gazetarëve në Kosovë: një realitet në normalizim e sipër

Historia e largimit tim nga puna është vetëm një ndër shumë të tjera. Përtej përvojës sime personale, po shfaqet një problem strukturor: gazetaria në Kosovë po cenohet çdo ditë e më shumë nga brenda, përmes presionit, mungesës së mbështetjes dhe normalizimit të autocensurës.

Shkruan: Iliri Pireva

Si shumë studentë të tjerë, edhe unë ëndërroja që një ditë, qoftë pas studimeve, e madje edhe gjatë tyre, të punoja në fushën që e doja më së shumti: gazetarinë. Dëshira e flaktë për këtë zanat, që e doja më shumë se gjithsecilin tjetër, m’u realizua. Si një e re e diplomuar, kërkova punë në një medium, që ishte hapur pak vite më parë dhe pa zgjatur shumë procedurat, u pranova.

Pavarësisht sfidave të fillimit të zanatit, isha e kënaqur. Punoja me vullnet të madh, ashtu si edhe kolegët e mi. Në shumicën e ditëve, të gjithë i tejkalonim orët e punës për disa orë.

Kjo nuk përbënte problem për asnjërin prej nesh. Kurrë nuk ankoheshim, edhe pse pagat ishin të vogla dhe kushtet nuk ishin ndër më të mirat. Kjo nuk përbënte problem, për asnjërin prej nesh. Kurrë nuk ankoheshim. Po që pagat ishin të vogla dhe po që kushte që nuk ishin më të mirat. Por, atmosfera ishte e jashtëzakonshme, shumë e mirë. Liria e punës pothuajse në maksimum. Nuk kishim asnjë pengesë për të shkruar e raportuar rreth temave e çështjeve që ne i propozonim ose na i caktonin redaktorët. Për këto arsye dhe menaxhimin korrekt nga drejtuesit, që respektonin stafin, mediumi u rrit dhe u bë simbol i raportimit të drejtë, të paanshëm, objektiv e profesional.

Publiku i besonte dhe e pëlqente. Të rintjë që studionin gazetarinë dhe jo vetëm, e kishin medium të prefereruar për të punuar. Kështu ishte për një kohë të gjatë. Mbase për faktin se ishte ndër mediumet më të mira në vend, atë e bleu një biznesmen i fuqishëm, që rregulloi kushtet e punës, sidomos përsa i përket hapësirave. Ato ishin më të mëdha, më të mira dhe përnjëmend, ishte një ndjesi e mirë të punoje aty.

Për disa vite, pronari i ri nuk u përfshi në atë se si punonim, ani se e ndjenim që kjo do të ndodhte, herët a vonë. Dhe kështu ndodhi, fatkeqësisht. Me ndërrimin e menaxhmentit të parë, nisi, ani se jo vrullshëm, ndryshimi, jo për të mirë, sigurisht. Filluan kërkesat për të bërë diçka me çfarë nuk ishim mësuar më herët. Për t’u shtuar vazhdimisht. Tendenca për të ndërhyrë u shpeshtuan. Pos kësaj, synohej një menaxhim i ri, me më shumë kontroll ndaj stafit, në radhë të parë administrativ, por jo vetëm.

Atmosfera në medium, përfshirë redaksinë ku punoja unë, nisi të zbehet. Ne gazetarët ishim mësuar me një liri të konsiderueshme, ku flisnim për gjithçka dhe debatonim për gjithçka, përfshirë punën profesionale, por edhe gjendjen në medium. Duke e ditur natyrën e punës sonë, mendonim, ose të paktën unë mendoja, se ndaj nesh nuk duhet të ushtrohet ndonjë ndikim për kontroll se ç’punojmë, sa punojmë, si punojmë dhe si sillemi. Besoja se puna jonë duhet të vlerësohej për cilësinë, jo për bindjen. Mbi të gjitha, te unë dhe shumë tjerë, ekzistonte dhe besoj se te shumë prej tyre që kanë mbetur aty, ende ekziston besimi se gazetaria kërkon mendim të lirë dhe liri për t’u shprehur, jo vetëm duke e raportuar atë që e thonë tjerët, por edhe duke e shprehur atë që e mendon vetë.

Por, fatkeqësisht, kjo po ndryshonte, sidomos pas ndërrimit në menaxhment. E shihja në sytë e kolegëve, në momentet kur duhej të flisnim. Aty ku dikur kishte liri dhe debat të hapur, tani secili mendonte dy herë para se të thoshte diçka. Kishte tension që nuk ishte vërejtur ndonjëherë.

Kufizimet e papërjetuara më parë nisen të aplikohen. Kontrolli nisi të shtohet. Ajo që dikur ishte redaksi e hapur u shndërrua në një ambient të zymtë dhe me plot pasiguri për të kritikuar, ani se nuk mungonin kritikat brenda saj. Në fakt, çdo kritikë që bëhej, interpretohej si sjellje problematike. Bindja filloi të vlerësohej më shumë se profesionalizmi. Edhe ata që kishin qenë dikur përgjegjës për krijimin e identitetit të televizionit dukeshin sot të pafuqishëm përballë realitetit të ri, pavarësisht përpjekjeve të tyre për të rezistuar karshi tendencave në rritje për ndryshim të politikave redaktuese dhe betejës për të ruajtur e mbrojtur integritetin e gazetarëve dhe stafit tjetër. Megjithatë, nuk është se ia dilnin me sukses.

Në këtë atmosferë të re, kolegët filluan të ankoheshin, për gjithçka që po ndodhte, por vetëm mes vete. Menaxhmenti nuk donte të dëgjonte ankesat e tyre. Edhe nëse i dëgjonte, nuk bënte gjë për t’i adresuar. Pakënaqësitë me atë që po ndodhte mund të dëgjoheshin, ani se me zë të ulët. Gjithandej mediumit – në dhoma montazhi, në korridore, në pushime të shkurtra kafesh, dëgjoje të njëjtat fjalë: pakënaqësi, pasiguri, zhgënjim. Ankesa të pafundme, shumica e të cilave injoroheshin nga drejtuesit e rinj. Zgjidhje për kërkesat e stafit nuk bëhej. Kështu, nuk u bë zgjidhje as kur edhe u kërkua sqarim në lidhje me pushimet për festat zyrtare, disa prej të cilave, iu mohoheshin punëtoreve.

Se situata kishte marrë drejtim të gabuar u bë krejtësisht e qartë kur, për herë të parë, në një grup të brendshëm komunikimi u tha se pushimi për festën e Krishtlindjeve, më 25 dhjetor, “i takon vetëm një grupi të caktuar”, që i përket besimit fetar me të cilin lidhej kjo festë. Në një redaksi që çdo ditë raporton për padrejtësi në vendin e punës, kjo fjali ishte e papranueshme. Gazetarët e deskut informativ nisën një peticion që u nënshkrua nga mbi 100 punonjës të mediumit. Por kur erdhi momenti i dorëzimit të tij, askush nuk e bëri. Frika u duk hapur.

Unë isha gazetarja më e vjetër e deskut dhe vendosa ta dorëzoj. Jo se isha më e guximshmja, por sepse e dija se nëse nuk e bëja unë, askush nuk do ta bënte. E dorëzova peticionin dhe aty nisi presioni. U kërkua një arsye për të më larguar, një shkas që nuk kishte lidhje me punën time. U përdor një lëshim i imi, që nuk lidhet fare me performancën time profesionale, por me një çështje teknike të konfirmimit personal të hyrje-daljeve në punë, për të justifikuar një masë ndëshkuese që në fakt kishte motiv krejt tjetër: hakmarrjen.

Filluan presionet e heshtura. U përjashtova nga xhirimet e promos së përvjetorit, ku u ftuan të gjithë kolegët moderatorë, përveç meje. Më pas, sponsorët që siguronin veshjet për prezantim më njoftuan se më kishin ndërprerë kontratën, madje para se unë ta merrja zyrtarisht vendimin për largim nga puna.

Largimi im nuk ishte vetëm i padrejtë, por edhe i paligjshëm në procedurë. Ligji e thotë qartë: një punëtore me 14 vite përvojë duhet të njoftohet dy muaj paraprakisht dhe të kompensohet me dy paga shtesë në rast të ndërprerjes se njëanshme. Asnjëra prej këtyre nuk u zbatua.

Mënyra si u zhvilluan gjërat tregonte qartë se largimi im ishte një sinjal për të tjerët, një mënyrë për të thënë: “Mos e provoni këtë rrugë!”. U desh një shembull për të dhënë porosinë e rreptë dhe më zgjodhën mua, për t’ua bërë të qartë të gjithëve se ngritja e zërit për të drejtat e punës kishte çmim. Madje, edhe përjashtim direkt nga puna, duke mohuar gjithë kontributin madhor që një punëtor mund të kishte dhënë, si puna ime me 14 vjet të plota. Sa për ilustrim, vetëm dy muaj më parë isha shpallur punëtore e muajit, sipas vlerësimeve të përgjegjësve, duke marrë edhe shpërblim.

Në momentin kur më larguan, nuk kërkova shpjegime. Isha ende në mes të asaj që po ndodhte dhe s’kisha distancën për ta parë qartë. Por me kohë, duke folur me gazetarë nga redaksi të tjera, e kuptova se ajo që ndodhi me mua nuk ishte përjashtim. E vura re edhe në trajnimet ku kam marrë pjesë së fundmi, ku u takova me shumë kolegë nga mediume të ndryshme. Secili kishte nga një histori të ngjashme: presion, pasiguri, heshtje. Aty e pashë se problemi nuk ishte vetëm personal, si në rastin tim konkret, por ishte i përhapur dhe i pranishëm gjithandej, pothuajse. Dhe kjo e bën edhe më të rëndë, sepse kur një situatë përsëritet në çdo anë, nuk mund ta quash më rastësi.

Rasti Naim Kryeziu

Këtë e kutpova me atë që kishtë përjetuar  edhe gazetari Naim Kryeziu nga Kanal 10 i cili u largua po ashtu nga puna, në këtë televizion, krejt papritur dhe pa paralajmërim. “Mbi dy muaj nuk ishin ekzekutuar pagat, hyrem në muajin e tretë pa paga”, deklaroi ai. “Kur kërkova shpjegim, askush nuk u përgjigj”. Kryeziu thotë se në mes të muajit të tretë, vetëm një pjesë e stafit u paguan, ndërsa ai jo. Kur kërkoi sqarim, iu tha të shkojë te përgjegjësit për ta nënshkruar dorëheqjen. “Në letrën e dorëheqjes shkruante se do të marrë pagë vetëm një muaj, por jo edhe muajin tjetër për të cilin kisha punuar”, shtoi Kreyziu. Ai shton se iu kishte kërkuar që dorëheqjen të cilën ia kishin kërkuar, ta paraqiste e pranonte si diçka të vetëvullnetshme, gjë kjo sipas tij ishte një “një mënyrë e butë për ta detyruar të largohej”. Naimi nuk kishte pranuar. Nga aty pati nisur trysnia. “Menjëherë pas publikimit të rastit, filluan telefonatat nga drejtori, pastaj edhe te avokati im duke bërë presion që të fshihet reagimi. Ata kishin menduar se do ta merrja vetëm njërën pagë dhe do të mbyllej çështja”, thotë Kryeziu

Avokati Dren Kukaj e sqaron qartë se çfarë konsiderohet shkelje ligjore. “Mobingu në Kosovë/Kosovu trajtohet si formë e ndaluar e diskriminimit”, thotë ai. Sipas tij, punëtori nuk ka detyrim të provojë gjithçka. “Mjafton të paraqes fakte fillestare që krijojnë një supozim të arsyeshëm. Më pas, barra e provës i kalon punëdhënësit”, thotë ai. Kukaj thekson se njoftimi me shkrim që iu bëhet punëtorëve për largim dhe ruajtja e provave janë kyçe. “Çdo heqje dorë nga të drejtat nën presion është juridikisht e pavlefshme”, shton ai. Për Kukajn, punëtori mund të kërkojë kompensim për dëmet emocionale, për pagat e humbura dhe madje rikthim në punë.

Ndërsa psikologia Donika Shahini Lami e përshkruan pasojën e këtij realiteti të zgjatur: “Presioni i vazhdueshëm, afatet, pasiguria, qortimet e heshtura krijojnë stres të lartë që kalon në stres kronik”, thotë ajo. Sipas saj, mobingu është abuzim emocional që çon në ankth, izolim, humbje vetëbesimi dhe simptoma depresive. “Vetëcensura është një ndalim i brendshëm i shprehjes së lirë që me kohë dëmton identitetin profesional”, shton ajo.

Në anën institucionale, Vesel Zhinipotoku, Drejtor i Departamentit për Cilësinë e Inspektimeve në Inspektoratin Qendror të Punës, konfirmon se ka shkelje të të drejtave të punëtorëve në media. “Bazuar në inspektimet e kryera dhe ankesat e pranuara, shkeljet më të shpeshta lidhen me ndërprerjen njëanshme të kontratës së punës, ndryshimin e vendeve të punës dhe mospagesën e orëve shtesë”, thotë Zhinipotoku. Ai shton se shumë gazetarë paraqesin ankesa me kërkesë për anonimitet për shkak të frikës nga pasojat, ndërsa Inspektorati ruan konfidencialitetin e tyre.  Zhinipotoku pranon se mungesa e stafit dhe e një databaze të plotë e vështirëson monitorimin, por thekson se rastet e raportuara trajtohen me prioritet.

Presioni i trefishtë: politik, ekonomik, profesional

Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, e sheh këtë situatë si pjesë të një krize më të thellë në media dhe gazetari. Ai thotë se gazetarët sot përballen me tre shtylla presioni: politik, ekonomik dhe profesional. “Shumë gazetarë ankohen te ne, por nuk guxojnë të flasin brenda vetë redaksisë”, shpjegon ai. Për Rexhën, kjo është shenja më e qartë e një kulture frike që është bërë sistemike te mediet. Ai shton se kontratat e brishta, pagat e vonuara dhe përpjekjet për ndërhyrje editoriale krijojnë një atmosferë ku gazetari mendohet dy herë para se të ngrejë zërin. “Kur frika bëhet normë, gazetaria humb funksionin e saj”, thotë ai.

Profesoresha e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës/Priština, Remzije Shahini Hoxhaj, e cila ligjëron etikën në media, thotë se kjo klimë frike pasqyrohet edhe te gjeneratat e reja. Ajo tregon se shpesh u flet studentëve për rëndësinë e reagimit, për detyrimin moral që gazetari ka ndaj së vërtetës dhe ndaj vetes. Por, sipas saj, sfida mbetet. “Të rinjtë shpesh nuk e kanë të zhvilluar ndjenjën e aktivizmit”, thotë ajo. “E shohin padrejtësinë, por nuk janë mësuar të ngrihen kundër saj”. Shahini Hoxhaj e lidh këtë me një fenomen më të gjerë shoqëror: politizimin. “Shoqëria është politizuar në çdo cep”, thekson ajo. “Dhe ky presion bie edhe mbi gazetarët e rinj. Kanë frikë nga etiketimet, nga reagimet, nga përjashtimi”. Ajo thellohet më tej duke e përshkruar këtë gjendje me teorinë e “spirales së heshtjes”, ku individët, qofshin këta edhe gazetarë, të rinj e me përvojë, zgjedhin të mos flasin për të mos u izoluar. “Njerëzit kanë frikë të humbin vendin e punës, frikë nga komentet publike, frikë nga pasojat”, thotë ajo. “Kur frika normalizohet, heshtja kthehet në zgjedhje”.

*Autorja është gazetare me përvojë 14-vjeçare, e larguar nga puna në Klan Kosova pas ngritjes së shqetësimeve për respektimin e të drejtave të punës

(Ky artikull u realizua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Demokracia e Informuar: Promovimi i një Hapësire Mediale të Qëndrueshme dhe të Diversifikuar. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e autores dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian).