RTK: Nga synimi publik te kapja partiake, një histori personale

Ky është një rrëfim personal për një ëndërr të lindur në një familje gazetarësh, në kohën kur besonim se RTK-ja mund të bëhej medium publik. Më pas erdhën presioni, censura dhe kapja politike, një realitet që triumfi i Fitores vetëm e bëri të padiskutueshëm. Dikur Vetëvendosja opozitare jehonte në protesta “RTK e jona, jo e Qeverisë”; sot, dhjetë vjet më vonë, “e jona” nënkupton të tyren si qeveri.

Shkruan: Blerta Foniqi-Kabashi

Një ekzemplar i së përditshmes “Kosova Sot”, mbi tryezën që pas luftës na bashkonte për vakte, u bë pikënisja e udhëtimit tim drejt botës së gazetarisë. Nuk mbaj mend se ç’më shtyri t’i shfletoja faqet e fundit, të cilat kryesisht shquheshin për pjesën e përkujtimeve. Një konkurs i atij numri të 15 korrikut 1999 do t’i jepte kah rrugës sime, të cilën qysh e vogël e kisha imagjinuar të ndiqte hapat e babait tim.

E lumtur tejmase, me flokët e mbledhur lart, veshur me një palë xhinse të kombinuara me një xhaketë të dhuruar nga shoqet që i kisha njohur si refugjate në Strugë/Struga, me copën e letrës ku ishte shpallur konkursi, po e përshkoja rrugën nga banesa, duke e bindur veten se po bëhesha gazetare, ani se veç atë copë njoftimi ende e kisha në dorë.

Dikur nga pasditja arrita t’i gjeja zyrat e gazetës. U ngjita lart, në një objekt të vjetër afër “Kafeve të Vogla”, siç quhet sot ajo zonë. Zemra më rrihte fort, çdo hap më dukej si hyrje në një botë të re. U prezantova shumë thjesht. Nuk është se kisha ndonjë gjë të jashtëzakonshme për të thënë për veten, përveç se isha një nxënëse e mirë dhe se kisha dëshirë të madhe të bëhesha gazetare. U shpreha me urtësi, por edhe me një vendosmëri që më buronte nga brenda. Besoja sinqerisht se mund t’ia dilja. Mes emocioneve, në sytë e redaktorëve tash të ndjerë, Sylejman Shaqiri e Ibrahim Rexhepi, shihja një mundësi që më po më jepej.

Pyetja e parë pas luftës ishte nëse dija anglisht. Si për inat, disa herë kisha provuar të ndiqja kurse, por nuk e kisha prioritet. Asokohe pas luftës nuk ishte turp të mos dije anglisht; shumica nuk dinim mirë. Nuk kishim pasur mundësi, as financiare, as të tjera, për ta mësuar. Nga zëri m’u duk se pohimi im se dija rrjedhshëm tingëlloi bindës, por vetëm unë e di se si e tejkalova atë “gënjeshtër të bardhë”. Kolegët i takova në një dhomë të vogël ku shkruheshin lajmet. U prezantova thjesht edhe me ta. As ata nuk kishin shumë ç’të thoshin, ishim të gjithë të rinj. Unë më e reja. Vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeçe. Nga një vajzë e re e sapokthyer si refugjate në gazetaren më të re në Kosovë. Ajo e enjte mjaftoi vetëm për prezantim. Të nesërmen na u ndanë detyrat. Më thanë të realizoja një temë me të rinjtë, për të parë sa po lexonin atë verë. U mundova shumë t’i kryeja intervistat në sheshin që sot mban emrin “Skënderbeu”, pa e ditur se vetëm dy vjet më vonë do të përcillja me kamerë vendosjen e shtatores së Gjergjit në të njëjtin shesh. Qindra mijëra njerëz nga të gjitha trojet shqiptare kishin ardhur në kryeqytet atë 28 Nëntor për ta mirëpritur shtatoren e heroit kombëtar, të punuar në bronz nga Janaq Paço. Shtatorja po lundronte në lumin e njerëzve derisa u vendos. Aty, përballë institucioneve të Kosovës — që sapo kishin nisur të ndërtoheshin, ende me kompetenca të rezervuara për shkak të fuqisë së kryeadministratorit — ku valëviteshin flamujt kuqezi me shqiponjën dykrenare.

Ai shesh do të bëhej epiqendra e kujtesës dhe zërit qytetar. Aty e përcolla karvanin e njerëzve që po vinin për t’ia dhënë lamtumirën e fundit presidentit historik. Në rrethojat e Kuvendit, ku u ngjitën emrat e mijëra të zhdukurve nga lufta, ku parakaluan disa herë Trupat Mbrojtëse të Kosovës/Kosovu, dhe po aty ku shpërthyen protestat kundër Pakos së Ahtisarit. Ata që shquheshin si drejtues të protestës atë ditë nuk patën nevojë të na thoshin të qëndronim. Jo si në rastet kur rrëzonin kamionë me mallra serbe dhe nuk na linin të largoheshim pa e filmuar arrestimin e tyre, sikur protesta të përmbushej vetëm kur disa prej tyre i merrte policia. Ne filmonim, të bindur se e kishim kapur lajmin.

Mbi bazën e atij plani të ish-presidentit finlandez, vetëm pas dymbëdhjetë muajve e një jave do të shpallej pavarësia e Kosovës/Kosovu. Edhe atë natë isha aty, pranë monumentit që mori emrin “NewBorn”, vetëm pak vite pasi kisha marrë pjesë në rivarrimet e atyre që kishin dhënë jetën për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Nga mentorët profesional te media e varur

Këto dhe ngjarje të tjera që do të vinin u përcollën me interes të madh nga kolegët e mediave të huaja, të cilët shpesh, me përvojën e madhe dhe median që përfaqësonin, u bënë mentorë për ne. Ka qenë, për shembull, Nick Wood nga BBC, të cilin e ndiqja me kureshtje për mënyrën se si e kapte lajmin. Akoma e ruaj një foto të bërë bashkë me të dhe me shumë kolegë të tjerë, në momentet kur po krijohej legjislatura e parë e Kuvendit, atë 10 dhjetor të vitit 2001. Sot, kur jemi te legjislatura e nëntë, e cila mezi u konstituua pas dhjetëra përpjekjesh, gjithçka zhvillohet nën sytë e shumë më pak mediave.

Nick Wood nuk e di nëse ka qenë në Kosovë/Kosovu që nga ajo kohë, por miqtë tanë të huaj vazhduan t’i kenë sytë nga ne. Nganjëherë më dukej sikur e gjithë bota kishte zbarkuar në Kosovë/Kosovu. Gjithandej flitej për ndërtimin e institucioneve të lira e demokratike. Për median kujdesej Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë/Evropa, e cila edhe sot vazhdon të ndihmojë në zhvillimin e mediave të pavarura dhe të shoqërisë civile në Kosovë/Kosovu, duke promovuar transparencën, lirinë e shprehjes dhe pjesëmarrjen qytetare në vendimmarrje. Zotin Uroshin nga kjo Organizatë e kam takuar në njërën prej zyrave të transmetuesit publik në vitin 2004, kur iu bashkova ekipit të gazetarëve për ta bërë RTK-në edhe më të mirë. Ai ishte angazhuar — siç mbaj mend nga OSBE-ja — për ta monitoruar punën e Radiotelevizionit të Kosovës/Kosovu. Rëndësi e madhe i jepej konfirmimit të informacionit, barazisë, transparencës dhe luftës kundër gjuhës nxitëse e urrejtëse ndëretnike. Zaten besoj shumë se kjo qe arsyeja që RTK sot transmetohet në disa gjuhë të komuniteteve. Sanella, është një mike e të gjithëve nga komuniteti boshnjak. Ndërsa, Nora, edhe pse na është bashkuar më vonë, e ka plotësuar ekipin me zellin dhe vullnetin e saj.

Zoti Uroshi qëndroi në atë zyrë për disa vjet, besoj deri pasi u shpall pavarësia. RTK-ja na ishte besuar si institucion që i bashkonte të gjithë, si një shtëpi e përbashkët, por pa objekt, pa një model të zgjidhur financimi dhe pa një ligj të ri. Kërkesa që, edhe sot, vazhdojnë të mbesin në tavolinë dhe që mbeten shkak për jostabilitet financiar. Jostabilitet që, për RTK-në, prej dekadash ka nënkuptuar varësi dhe jo transparencë. Muret e hapësirës ku kishte punuar atëbotë z.Uroshi janë thyer, ashtu siç janë thyer edhe shumë standarde etike e profesionale.

Në këtë kontekst e realizova intervistën e fundit me deputeten e partisë që ishte në pushtet, Fitore Pacolli nga Lëvizja Vetëvendosje. Duke qenë plotësisht e vetëdijshme për frikën që ishte mbjellë te kolegët, se intervista mund të bëhej “sebep” për mosalokimin e pagave. Të paktën kështu ua kishin mbjell frikën shumë prej tyre ato ditë. Sipas kësaj logjike, duhet të paguhej dëgjueshmëria e nënshtrimi, e jo puna, ashtu siç kishim mësuar nga Nick Wood, zoti Uroshi dhe të tjerët. Por, fatkeqësisht shumë po mësohen të jenë të dëgjueshëm, vetëm që ta marrin atë që e meritojnë; po mësohen të jenë të kujdesshëm, vetëm që ta sigurojnë atë që u takon. Dhe më e keqja është se duket sikur edhe publiku po mësohet me një media që, në të vërtetë, i shërben më së paku atij. Katër gra, moderatore të Magazinës Info Plus, deri para se emisioni të fshihej arbitrarisht dy muaj më parë, çdo ditë kemi dhënë më të mirën në kushte minimale pune. Jemi veshur e krehur në cilëndo hapësirë të lirë që gjenim, vetëm e vetëm për hatrin e publikut.

Publiku nuk e di se presioni aty është shumë më i madh sesa duket. A e keni ditur, për shembull, se kryeredaktori e ka reduktuar listën e mysafirëve? Disa prej emrave e kanë pasur dhe ende e kanë të ndaluar të ftohen në RTK. Shumica, për shkak të bindjeve të tyre politike. Ne të katërtat dhe të tjerët që nuk ia kanë dhënë ‘aminin’ listës së censuruar ose janë larguar komplet nga ekrani, ose përjetojnë presion sistematik. Ne të katërtat nuk e kemi më timonin në dorë, pa fajin tonë, vetëm për shkak të një gruaje, Fitores, e cila, nga vetë emri, do të duhej të simbolizonte triumfin e demokracisë. Dhe për shkak të vendit ku supozohet të japë kontribut, në tempullin e demokracisë, Kuvendin e Kosovës, themeluesin e RTK-së.

Publikja si e tyre

Pse u bë Fitorja e Vetëvendosjes “sebep” që të shuhen emisionet tona? Jam e bindur se jo për shkak të fuqisë së saj, por për shkak të pafuqisë, nënshtrimit dhe interesave të ngushta politike të drejtuesve. Një ushtrues detyre i kryeredaktorit, në rolin e mercenarit, më thirri në një bisedë “informative” për të më qortuar dhe për të më tërhequr vërejtjen që të mos e “testoja” durimin e tij. Por, në fund të fundit, ç’rëndësi ka ai, apo durimi i tij?

Ironikisht, as intervista e tij përkëdhelëse me kryeministrin Kurti nuk i solli pagat e punonjësve në afatin e duhur. Fitoret politike shkojnë e vijnë, por vetëm fitorja e merituar jeton gjatë. Dhe, si për koincidencë, edhe fitorja jonë e ka këtë emër. Ajo vazhdon të shkëlqejë në dritaren e transmetuesit publik, në Prime Time.

Largimi ynë nga ekrani nxiti reagime të shumta. Organizata që mbron dhe kujdeset për gazetarët reagoi ashpër. Asaj iu bashkuan edhe shumë organizata të tjera vendore e ndërkombëtare. Ato konstatuan se në RTK po ndodhnin censurë dhe përndjekje. Edhe Grupi Ndërkombëtar i Krizave reagoi pas përjashtimit tonë. Ky reagim më kushtoi me një përjashtim të dytë, kësaj radhe edhe nga edicioni qendror, ku kam punuar prej dekadash. Si për ironi, përmbajtja e këtij raporti u konfirmua po atë natë, pikërisht përmes këtij vendimi.

A e keni ditur se neve na dhemb shumë kur njerëz të pushtetit ia mësyjnë RTK-së në mënyrë morbide, sikur aty i kemi ftuar të “shpërlahen”? Edhe më shumë na dhemb kur publiku mendon se ashtu është. Sado që populli thotë se me një lule nuk çel pranvera, te ne pranvera çel me mëngjes. Ne kemi punuar dhe vazhdojmë të punojmë për një RTK të publikut.

A i mban mend ndokush protestat e 12 redaktorëve të vitit 2015, apo edhe ato të dhjetë viteve më parë? Ne patëm denoncuar censurë e çka jo tjetër. Mirë që protestuam, edhe më mirë që u ndalëm. Vetëvendosja e asaj kohe vinte para dyerve të RTK-së dhe bërtiste: “RTK e jona, jo e Qeverisë”. Atëbotë menduam se fjala “e jona” nënkuptonte “e publikut”. Fiks dhjetë vjet më pas, ata e duan RTK-në krejtësisht të tyren.

(Ky artikull u realizua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Demokracia e Informuar: Promovimi i një Hapësire Mediale të Qëndrueshme dhe të Diversifikuar. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e autores dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian).