E ardhmja e qëndrueshme e mediave në gjuhën serbe në Kosovë varet nga financimi afatgjatë dhe i qëndrueshëm, por edhe nga mbështetja e institucioneve dhe e publikut
Nga: Ana Marija Ivković
Liria e mediave në Kosovë garantohet nga Kushtetuta dhe ligjet. Megjithatë, nën sipërfaqen ligjore fshihet një sërë problemesh që zbulojnë gjendjen reale të kësaj lirie. Në një pozitë veçanërisht të vështirë ndodhen mediat në gjuhën serbe, të cilat në masën më të madhe financohen nga donatorët ndërkombëtarë.
“Liria e mediave kërcënohet nga rregulloret e politizuara, nga paditë që synojnë të heshtin gazetarët, nga qasja e pamjaftueshme në informacionin publik dhe nga rreziqet serioze për sigurinë e gazetarëve”, kanë vlerësuar Reporterët pa Kufij në raportin e tyre për lirinë e mediave në Kosovë për vitin 2025. Këtë vit, Kosova u rendit në vendin e 99-të nga gjithsej 180 vende.
Megjithatë, kjo nuk e pasqyron gjendjen e mediave në gjuhën serbe në Kosovë, sidomos të atyre që financohen nga fondet ndërkombëtare. Pikërisht këto media përbëjnë bastionet e lirisë së medias, por njëkohësisht ndodhen nën një kërcënim serioz për t’u zhdukur.
Donatorët si oksigjen në një kohë kur redaksitë po mbesin pa të rinj
Arsyet? Mungesa e fondeve dhe mungesa e gazetarëve të rinj. Një lloj goditjeje për këto media ishte ndërprerja e financimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes USAID-it dhe veçanërisht Ambasadës së SHBA-së. Tani këto media varen nga donatorë të tjerë. Disa prej tyre patën fat dhe siguruan mbështetje nga National Endowment for Democracy dhe European Endowment for Democracy – donatorë të njohur për mirëkuptimin e nevojave aktuale të mediave, përkatësisht raportimit të përditshëm.
Pse është kjo e rëndësishme për mediat në gjuhën serbe në Kosovë? Sepse mediat që financohen nga fondet ndërkombëtare varen ekskluzivisht prej tyre. Këto media nuk kanë pothuajse asnjë mundësi të jenë vetë të qëndrueshme, për shembull përmes reklamave.
Çfarë interesi do të kishte një kompani serbe të reklamohej në faqen e internetit të një mediumi në gjuhën serbe në Kosovë? Ndërkohë, bizneset shqiptare reklamohen në faqet e kolegëve tanë – gjë krejtësisht e kuptueshme, pasi shtrirja e tyre është padyshim më e madhe.
Për më tepër, mungesa e gazetarëve të rinj po bëhet gjithnjë e më problematike, ndaj redaksitë po reduktohen në pak persona që përpiqen të mbulojnë si temat lokale, ashtu edhe ato që lidhen me tërë Ballkanin dhe botën. Tingëllon e papërballueshme. Siç edhe është. Kolegët dhe tëra redaksitë po konsumohen nga lodhja.
Po pse mungesa e të rinjve? Epo, çfarë interesi do të kishte një i ri të punonte në redaksinë e një mediumi lokal që përpiqet të respektojë çdo parim të etikës gazetareske? Pyetjet e pakëndshme mund të shkaktojnë reagime nga përfaqësuesit lokalë politikë, si të komunitetit serb, ashtu edhe të atij shqiptar. Shembujt janë të shumtë.
Mediet lokale në gjuhën serbe janë të padëshiruara për qendrat e pushtetit si në Prishtinë, ashtu edhe në Veri
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u përpoq të mos i akreditojë mediat në gjuhën serbe në Kosovë për vëzhgimin e raundit të parë të zgjedhjeve lokale. Ky është një shembull flagrant i përpjekjes për të kufizuar punën e redaksive të pavarura dhe për të penguar qasjen publike në procesin zgjedhor, veçanërisht të atyre që raportojnë në gjuhën serbe.
Një veprim i tillë jo vetëm që cenon parimet e transparencës, por edhe rrezikon drejtpërdrejt të drejtën e qytetarëve për t’u informuar nga më shumë burime. Çështja e qasjes së gazetarëve në zgjedhje nuk është teknike, por thelbësore. Pa një mbikëqyrje të lirë dhe të paanshme të zgjedhjeve, besimi në institucione bëhet edhe më i brishtë.
Rasti më i fundit është ai i pamundësisë së kolegëve tanë nga KoSSev që t’i drejtojnë pyetje kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurtit, gjatë vizitës së tij në Mitrovicën e Veriut më 7 nëntor. Kur gazetarja e KoSSev-it u përpoq t’i afrohej Kurtit për të marrë një deklaratë, sigurimi e ndaloi duke i thënë se “duhet të presë radhën”, për të përfunduar më pas se duhet “të marrë leje”.
Në këmbënguljen e gazetares së KoSSev-it për të sqaruar se nga kush merret kjo leje, ajo nuk mori përgjigje, ndërkohë që një pjesëtar i sigurimit mbante dorën e shtrirë për t’ia pamundësuar qasjen te Kurti. Pasi i dha deklaratë mediave shqiptare, Kurti hipi në xhipin e tij dhe u largua në drejtim të Mitrovicës së Jugut, raportoi KoSSev.
Duhet përmendur edhe shembulli i vitit të kaluar, kur një pjesë e gazetarëve, përfshirë edhe ekipin e “Alternativa”, u penguan të hynin në konferencën për media të Listës Serbe, pas aksionit të gjerë të Policisë së Kosovës për mbylljen e organeve komunale të Republikës së Serbisë. Ne mbetëm para derës, pa mundësi të parashtronim pyetje. Ndoshta druheshin nga pyetjet, si për shembull, pse kryetarët e organeve komunale nuk ndodheshin të paktën në terren, ndërkohë që Policia e Kosovës po u mbyllte institucionet.
Personalisht, nuk kam paraqitur në polici asnjë rast të tentimit për pengimin e punës në terren nga ana e qytetarëve, qoftë të nacionalitetit serb, qoftë të atij shqiptar. Është e pakëndshme të bësh punën gazetareske ashtu siç e kërkon etika profesionale, sidomos në një mjedis të vogël, ku çdo temë kthehet në çështje politike.
Bashkëpunimi midis mediave serbe dhe shqiptare nuk mungon, por në shumicën e rasteve zhvillohet në nivel individual, midis vetë gazetarëve, e jo midis redaksive. Disa media arrijnë të realizojnë projekte të përbashkëta, por rrallëherë krijojnë përmbajtje të përbashkët. Zakonisht, bashkëpunimi reduktohet në shkëmbim lajmesh. Besoj se audiencat janë të interesuara për përmbajtje të përbashkëta, por vetëm deri në atë pikë sa tema i prek drejtpërdrejt. Pikërisht temat e përbashkëta, pra ato me interes për të dy komunitetet, janë hapësira ku redaksitë mund të gjejnë bazën për bashkëpunim në krijimin e përmbajtjeve të përbashkëta.
Në fillim të tekstit i quajta mediat në Kosovë që raportojnë në gjuhën serbe dhe që financohen kryesisht nga fondet ndërkombëtare, bastione të lirisë së medias. Është pothuajse e pamundur të gjesh dezinformata në portalet e këtyre mediave; edhe kur ndodh, zakonisht bëhet fjalë për një gabim të paqëllimshëm.
Këto media janë shumë të vetëdijshme për peshën e dezinformimit, për rrezikun që ai paraqet dhe për përmasat me të cilat mund të përhapet, madje edhe të shkaktojë dhunë. Le ta kujtojmë 17 marsin, kur dhuna ndaj komunitetit serb nisi për shkak të një dezinformate se serbët kishin marrë pjesë në mbytjen e një fëmije shqiptar në Çabër.
Propaganda lart, barra poshtë
Sfida shtesë paraqesin rrjetet sociale, ku informacionet përhapen pa kontroll redaktues. Mediat profesionale në gjuhën serbe shpesh detyrohen të “riparojnë dëmin” e shkaktuar nga lajmet e rreme që vijnë nga Beogradi ose Prishtina dhe kjo jo vetëm në rrjetet sociale.
Nga ana tjetër, mediat në Kosovë që raportojnë në gjuhën serbe dhe që financohen kryesisht nga donatorët ndërkombëtarë mbajnë barrën e raportimit për temat lokale, por edhe për ato që lidhen me tërë rajonin. Nuk mjafton të ofrosh vetëm informacion për çështjet lokale, edhe pse ato, natyrisht, mbeten në qendër të vëmendjes së komunitetit serb. Megjithatë, gazetaria hulumtuese nuk është në fokus të mediave lokale në gjuhën serbe, jo sepse nuk dinë ose nuk duan të merren me të, por sepse nuk kanë burimet e nevojshme.
Mbledhja e vazhdueshme e informacionit dhe pritja për përgjigje nuk është luks që këto media e kanë, sepse publiku pret informacione menjëherë. Kontinuiteti në financimin e aktiviteteve të përditshme operative, financimi ekskluziv i përmbajtjes mediale (e jo i aktiviteteve të sektorit civil), si dhe mungesa e detyrimit që gazetarët të merren kryesisht me punë administrative, por me detyrën e tyre bazë — këto do të ishin hapat financiarë kyç që do ta ndihmonin mbijetesën e mediave në gjuhën serbe në Kosovë. Në këta faktorë duhet të përfshihet edhe qasja në informacione. Gazetarët e redaksive serbe në Kosovë shpesh marrin përgjigje nga institucionet vetëm në gjuhën shqipe, ndonëse edhe serbishtja është gjuhë zyrtare në vend.
Nga ana tjetër, konferencat për media shpesh mbahen vetëm në gjuhën shqipe, ndërsa përfaqësuesit politikë as që e fshehin faktin se nuk dëshirojnë të flasin në serbisht, edhe pse e kuptojnë.
Së fundi, por jo më pak e rëndësishme, është edhe siguria e gazetarëve. Gazetarët nga komuniteti serb shpesh nuk i raportojnë rastet që lidhen me rrezikimin e sigurisë së tyre. Redaksia e “Alternativa”, kolegia jonë dhe unë vetë kemi qenë objekt shënjestrimi në disa kanale të Telegramit. Koleges nga KoSSev-i iu dëmtua vetura në vitin 2024, ndërsa para 11 vitesh madje i ishte djegur.
E ardhmja e qëndrueshme e mediave në gjuhën serbe në Kosovë varet nga financimi afatgjatë dhe i qëndrueshëm, por edhe nga mbështetja e institucioneve dhe e publikut. Thelbësore është krijimi i një ambienti ku gazetarët do të ndihen të sigurt dhe të lirë, pavarësisht se cilës gjuhë apo komuniteti i përkasin. Pa këtë, skena mediale në Kosovë do të mbetet e fragmentuar, ndërsa qytetarët të privuar nga informimi cilësor.

Ky artikull u realizua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Demokracia e Informuar: Promovimi i një Hapësire Mediale të Qëndrueshme dhe të Diversifikuar. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e autores dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.