Punëtori me kandidatët egjiptas për asamble komunale në Komunën e Gjakovës

Në kuadër të aktivitetit “Sesione të Avokimit me Asambleistë dhe Parti Politike”, më 9 tetor 2025, Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari organizoi në Komunën e Gjakovës punëtorinë me temën “Avokim dhe Angazhim Politik”.

Në këtë punëtori morën pjesë kandidatë për asamble dhe zyrtarë komunalë nga komuniteti egjiptas i Gjakovës.

Ligjërues në aktivitet ishin Fisnik Rexhepi, i cili prezantoi kornizën ligjore dhe kompetencat e asambleistëve, si dhe Senad Sabovic, i cili trajtoi rëndësinë e komunikimit me qytetarët dhe përdorimin e rrjeteve sociale gjatë dhe pas fushatës zgjedhore, për qëllime të angazhimit publik dhe transparencës.

Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit theksuan se që 12 vjet komuniteti egjiptas nuk ka përfaqësues në Kuvendin Komunal të Gjakovës. Ata ngritën gjithashtu çështje që lidhen me rregullimin e përfaqësimit në Komitetin për Komunitete dhe përcaktimin ligjor të kompensimit për anëtarët e tij, në përputhje me Ligjin e Pagave.

U diskutuan edhe sfidat kryesore në kuvendet komunale, përfshirë mungesën e përfaqësimit adekuat të komuniteteve dhe rolin e kufizuar të Komitetit për Komunitete.

Përveç sesioneve ligjëruese, pjesëmarrësit morën pjesë në ushtrime praktike dhe diskutime në grupe, ku ndanë përvoja, analizuan sfida konkrete të përfaqësimit dhe komunikimit, dhe propozuan mënyra më efektive të angazhimit me qytetarët.

Aktivitetet u fokusuan në zhvillimin e aftësive të komunikimit publik, empatisë dhe përdorimit të kanaleve digjitale për të forcuar transparencën dhe besimin e qytetarëve.

Qëllimi i punëtorisë ishte fuqizimi i aftësive të komunikimit, empatisë dhe bashkëpunimit ndër-etnik tek asambleistët dhe përfaqësuesit e komuniteteve të ndryshme.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit “Nxitja e Dialogut Politik mbi Kohezionin Ndëretnik dhe Social”, të mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED) dhe të implementuar nga Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari.