Dialog Komunitar me Komunitetin Serb në Rajonin e Anamoravës

Në kuadër të aktivitetit “Dialogu dhe Përfshirja Qytetare”, më 29 korrik u mbajt një diskutim me anëtarë të komunitetit serb, përfaqësues të institucioneve publike dhe qytetarë nga komunat e Gjilanit, Novobërdës, Kllokotit dhe Parteshit.

Qëllimi i këtij takimi ishte të dëgjoheshin përvojat e drejtpërdrejta lidhur me jetën e përditshme, marrëdhëniet ndëretnike, qasjen në institucione dhe perspektivat për të ardhmen e komunitetit.

Pjesëmarrësit përshkruan një realitet të shënuar nga vështirësi ekonomike, mungesë të mundësive për punësim veçanërisht në zonat rurale dhe një pasiguri sociale në rritje. Mbyllja e shërbimeve nga institucionet e drejtuara nga Serbia dhe ndërprerja e funksionimit të Bankës Komerciale, pas ndalimit të përdorimit të dinarit serb, e kanë bërë edhe më të vështirë qasjen në mbështetje financiare bazike. Migrimi u theksua si shqetësim madhor sipas pjesëmarrësve, gati gjysma e popullsisë lokale serbe ka lënë Kosovën gjatë dekadës së fundit.

Marrëdhëniet ndëretnike u përshkruan si të ftohta dhe kryesisht formale, të penguara nga barrierat gjuhësore dhe mungesa e shkëmbimeve domethënëse ndërkomunitare.

Përfaqësimi politik në nivel qendror u perceptua si i dobët dhe i shkëputur nga nevojat reale të komunitetit. Ndërkohë, decentralizimi nuk u pa si një faktor që ka përmirësuar ndjeshëm qasjen në shërbimet publike apo integrimin e komunitetit. Mungesa e stafit që flet gjuhën serbe në institucionet qendrore mbetet një pengesë serioze.

Bashkëpunimi ekonomik mes komuniteteve mbetet i kufizuar. Pjesëmarrësit theksuan nevojën për më shumë investime, mbështetje institucionale për bizneset e vogla dhe përmirësim të infrastrukturës, sidomos në zonat rurale dhe më të izoluara.

Pjesëmarrja qytetare në proceset politike dhe nismat lokale është e ulët, për shkak të mungesës së mekanizmave efektivë për dialog ndëretnik dhe përfshirje komunitare. Megjithatë, pjesëmarrësit shprehën shpresë se me një angazhim më të fuqishëm institucional, respektim të të drejtave gjuhësore dhe përmirësim të kushteve ekonomike, integrimi dhe bashkëjetesa mund të forcohen.

Ky dialog konfirmon nevojën urgjente për angazhim të vazhdueshëm dhe vëmendje të qëndrueshme institucionale, për të siguruar që zërat e të gjitha komuniteteve të dëgjohen dhe të reflektohen në proceset zhvillimore në Kosovë.

Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit “Nxitja e Dialogut Politik mbi Kohezionin Ndëretnik dhe Social”, i mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED) dhe i implementuar nga Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari.