Duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen e Agon Zejnullahut dhe të gjithë të afërmit e tij, Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari kërkon urgjentisht hetim profesional dhe transparent, si dhe marrje të përgjegjësisë institucionale.
Kjo ngjarje tragjike nuk mund të përfundojë vetëm me suspendimin dhe arrestimin e zyrtarëve policorë. Nuk mund të përkufizohet vetëm si çështje disiplinore dhe penale. Tragjedia e Lipjanit nuk duhet trajtuar si një rast i izoluar. Është edhe reflektim dhe sinjalizim i një simptome shqetësuese të policimit të shtetit, edhe si produkt i trimërimit të mendësisë së legjitimimit të dhunës në emër të sigurisë publike dhe, në anën tjetër, të një aparati të sigurisë i cili ka prirje të përdoret, çdo herë e më shumë, me metoda arbitrare, pa kontroll efektiv civil dhe pa transparencë të plotë publike.
Ftojmë institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin sa më parë vendime dhe veprime për ta mbajtur policinë në shërbim të qytetarit, demokracisë publike dhe sidomos dinjitetit njerëzor, si hallkë themelore të kontratës sociale midis individit dhe shtetit.
Prandaj, Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari kërkon urgjentisht :
– Hetim të plotë, të pavarur dhe transparent
– Llogaridhënie institucionale
Pa drejtësi për Agon Zejnullahun nuk mund të ketë paqe shoqërore dhe siguri publike.