Mungesa e stafit dhe e buxhetit të mjaftueshëm për shërbimet sociale, transporti i papërshtatshëm për personat me aftësi të kufizuara dhe nevoja për zgjerimin e shërbimeve për fëmijët, gratë dhe të moshuarit janë ndër problemet kryesore të identifikuara në komunën e Istogut. Këto çështje u ngritën gjatë konsultimeve të organizuara nga Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve komunale, organizatave të shoqërisë civile, ofruesve të shërbimeve sociale dhe qytetarëve.
Konsultimet u përqendruan në mundësitë për adresimin e këtyre problemeve përmes politikave dhe vendimeve komunale, duke u mbështetur në përvojat e atyre që ofrojnë dhe përdorin shërbimet sociale. Ato ishin vazhdimësi e takimit të 6 tetorit me anëtarët e Grupit Tematik të Asambleistëve për Politika Sociale, me qëllim zgjerimin e diskutimit dhe identifikimin e masave që mund të ndërmerren në nivel komunal.
Drejtoresha komunale për Mirëqenie Sociale, znj.Merita Muzlijaj-Bytyçi, theksoi se kufizimet buxhetore dhe numri i pamjaftueshëm i stafit vështirësojnë ofrimin dhe zgjerimin e shërbimeve sociale. Në këtë kontekst, u diskutua edhe roli i Qendrës për Punë Sociale në mbështetjen e individëve dhe familjeve në nevojë, përfshirë fëmijët dhe të moshuarit. Si shembull i bashkëpunimit ndërmjet komunës dhe shoqërisë civile u veçua qendra e qëndrimit ditor për të moshuarit, ku organizohen aktivitete me profesionistë shëndetësorë dhe ofrohet mbështetje psikosociale.
Organizatat e shoqërisë civile paraqitën nevoja konkrete nga puna e tyre me qytetarët. Handikosi në Istog ngriti çështjen e transportit të papërshtatshëm për personat me aftësi të kufizuara, si dhe nevojën për hapësira dhe staf shtesë për zgjerimin e shërbimeve. Organizata “Forca e Gruas” theksoi interesimin e grave për aftësim profesional, përfshirë një kurs rrobaqepësie, realizimi i të cilit pengohet nga mungesa e fondeve për angazhimin e një trajneri.
Në fushën e shërbimeve për fëmijët, u theksua nevoja për qasje në shërbime logopedike pa pagesë, si dhe për fuqizimin e qendrave mësimore që mbështesin fëmijët gjatë shkollimit, veçanërisht ata nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.
Problemet dhe propozimet e identifikuara gjatë konsultimeve do të shërbejnë si bazë për hartimin e një raporti me rekomandime konkrete, të cilin Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari do t’ia paraqesë Kuvendit Komunal të Istogut. Rekomandimet do të synojnë përmirësimin e qasjes dhe cilësisë së shërbimeve sociale, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe mbështetjen e asambleistëve në hartimin e politikave dhe nismave komunale të bazuara në nevojat e qytetarëve.
Konsultimet u zhvilluan në kuadër të projektit “Dialog Social Gjithëpërfshirës”, i mbështetur nga programi “EJA Kosovë” i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia.





