Projekti “Dialogu Social Gjithëpërfshirës”, i mbështetur nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), synon të forcojë pjesëmarrjen e qytetarëve, përfaqësimin demokratik dhe dialogun social në nivel lokal, përmes krijimit të mekanizmave për bashkëpunim midis qytetarëve, anëtarëve të kuvendeve komunale, sindikatave dhe institucioneve komunale.
Përmes formimit të grupeve tematike të anëtarëve të kuvendeve komunale në komuna të ndryshme anembanë Kosovës, projekti synon të identifikojë dhe të adresojë nevojat e komunitetit, me fokus të veçantë në përmirësimin e politikave dhe shërbimeve sociale, mbrojtjen e grupeve të cenueshme dhe forcimin e llogaridhënies institucionale. Paralelisht, projekti mbështet fuqizimin e sindikatave duke rritur kapacitetet e tyre në komunikimin strategjik, mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe negocimin kolektiv.
Nëpërmjet takimeve konsultative, sesioneve trajnuese, forumeve publike dhe aktiviteteve për ndërgjegjësim, projekti promovon përfshirjen e grave, të rinjve dhe komuniteteve jo-shumicë në proceset vendimmarrëse, duke forcuar njëkohësisht kohezionin social dhe bashkëpunimin midis komuniteteve.
Rezultati i pritshëm: Krijimi i një modeli të qeverisjes lokale më gjithëpërfshirës, transparent dhe llogaridhënës, në të cilin nevojat e qytetarëve dhe të drejtat e punëtorëve shndërrohen në prioritete konkrete institucionale dhe në politika sociale më të barabarta.
Financuar: Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)
Vitet: 01/03/2026 – 31/12/2028