Forcimi i shërbimeve sociale në Graçanicë kërkon më shumë kapacitete dhe koordinim institucional

Kapacitetet e kufizuara të Qendrës për Punë Sociale, mungesa e shërbimeve ditore për fëmijët me aftësi të kufizuara, nevojat për mbështetje të personave të moshuar dhe mungesa e kopshteve publike ishin ndër sfidat kryesore të diskutuara në tryezën mbi politikat dhe shërbimet sociale në Komunën e Graçanicës. Në diskutim morën pjesë anëtarë të Kuvendit Komunal, zyrtarë komunalë, përfaqësues të organizatave dhe aktorë të tjerë të angazhuar në fushën e politikave dhe shërbimeve sociale.

Numri i kufizuar i stafit dhe mungesa e një buxheti të veçantë për Qendrën për Punë Sociale u evidentuan si pengesa për planifikimin dhe ofrimin e shërbimeve. U theksua gjithashtu nevoja për staf me aftësi të përshtatshme gjuhësore, për të siguruar komunikim dhe qasje më të mirë në shërbime për komunitetet e ndryshme. Në këtë kontekst, u përmend edhe nevoja për një grant të veçantë për shërbimet sociale, që do t’u mundësonte komunave planifikim dhe mbështetje më të qëndrueshme.

Një ndër nevojat më të theksuara ishte krijimi i një shërbimi të kujdesit ditor për fëmijët me aftësi të kufizuara, që do të mbështeste zhvillimin dhe socializimin e tyre, si dhe do të lehtësonte përkujdesjen nga familjet. U diskutua gjithashtu mungesa e familjeve të licencuara për strehim familjar në afërsi, gjë që vështirëson ofrimin e këtij shërbimi për fëmijët pa përkujdesje prindërore.

Sa u përket personave të moshuar, diskutimi nxori në pah nevojën për mbështetje që shkon përtej ndihmës financiare, veçanërisht për ata që jetojnë vetëm. Krahas shërbimeve rezidenciale ekzistuese, u propozua shqyrtimi i mundësisë për krijimin e një qendre ose shërbimi ditor, që do të ofronte kujdes, shoqërim dhe aktivitete të përbashkëta.

Mungesa e kopshteve publike u identifikua si një tjetër sfidë, me ndikim të drejtpërdrejtë në mundësitë e grave për punësim dhe në mbështetjen e familjeve me fëmijë të vegjël. Në kuadër të diskutimit mbi mirëqenien dhe sigurinë e qytetarëve, u ngritën edhe shqetësimet për ndriçimin e pamjaftueshëm në hapësirat publike dhe praninë e qenve endacakë, të cilat ndikojnë në jetën e përditshme, përfshirë sigurinë e fëmijëve.

Vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe organizatave. U theksua nevoja për koordinim më të mirë në trajtimin e rasteve, funksionim më të qëndrueshëm të mekanizmave shumëdisiplinorë dhe hartëzim të organizatave dhe shërbimeve që veprojnë në Graçanicë. U diskutuan gjithashtu vështirësitë që krijon funksionimi paralel i disa shërbimeve, veçanërisht për qasjen e barabartë të komuniteteve të ndryshme dhe për planifikimin e mbështetjes sociale.

Diskutimi nxori në pah nevojën për një qasje më të koordinuar dhe gjithëpërfshirëse ndaj politikave sociale në nivel komunal. Forcimi i kapaciteteve të Qendrës për Punë Sociale, zhvillimi i shërbimeve në komunitet dhe përmirësimi i bashkëpunimit institucional u identifikuan si drejtime të rëndësishme për t’i kthyer nevojat e evidentuara në terren në prioritete konkrete të planifikimit dhe buxhetimit komunal.

Ky aktivitet përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) “EJA Kosovë”, i bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia.