Incidentet e përsëritura në Trepçë kërkojnë masa konkrete për mbrojtjen e minatorëve

63 minatorë të Trepçës kanë mbetur të bllokuar në natën e 7 tetorit pas një defekti në furnizimin me energji elektrike, andaj Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” shpreh shqetësim për këtë incident, ndonëse lajmi për daljen e tyre është lehtësuese, mbetet e domosdoshme të sqarohet çfarë ndodhi dhe çfarë masash do të merren për të shmangur përsëritjen.

Bllokime të minatorëve për shkak të problemeve me energjinë elektrike janë raportuar edhe në janar dhe maj të këtij viti. Për rastin e majit u njoftua edhe nisja e hetimeve. Përsëritja e këtyre ngjarjeve kërkon një shqyrtim më të gjerë të sigurisë në minierë, duke përfshirë mirëmbajtjen, funksionimin e pajisjeve dhe gatishmërinë për situata emergjente.

Sindikatës së Minatorëve duhet t’i jepet përgjigje e dokumentuar për shqetësimet që ka ngritur lidhur me pajisjet e vjetruara, mungesën e investimeve dhe furnizimin alternativ me energji. Paralajmërime për kushtet e sigurisë janë bërë publike edhe gjatë vitit 2025. Këto shqetësime duhen shqyrtuar nga profesionistët dhe organet kompetente, pa paragjykuar shkaqet teknike apo përgjegjësinë për incidentin e fundit.

Siguria në punë është detyrim ligjor dhe pjesë e mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve. Legjislacioni kërkon vlerësimin e rrezikut, mirëmbajtjen e sigurt të vendeve dhe pajisjeve të punës, organizimin e shpëtimit dhe planifikimin e evakuimit. Zbatimi i këtyre detyrimeve kërkon punë të përditshme nga ndërmarrja dhe mbikëqyrje nga inspektoratet kompetente.

Për Institutin, prioritet është një vlerësim teknik që lidh rreziqet e identifikuara me ndërhyrjet dhe investimet e nevojshme. Ky vlerësim duhet të përfshijë pajisjet elektrike, transportin e minatorëve, furnizimin rezervë, komunikimin dhe daljet emergjente, si dhe procedurat për evakuimin e punëtorëve që kanë vështirësi në lëvizje.

Punëtorët e njohin drejtpërdrejt vendin e punës dhe rreziqet me të cilat përballen. Prandaj, Sindikata duhet të ketë rol të rregullt në diskutimin e vlerësimit të rrezikut, planeve të sigurisë dhe investimeve që ndikojnë në kushtet e punës. Konsultimi me punëtorët dhe përfaqësuesit e tyre parashikohet edhe me ligj. Ky dialog duhet të shoqërohet me përgjigje dhe ndjekje të zbatimit të masave.

Instituti kërkon:

  1. Hetim të plotë të incidentit dhe publikim të gjetjeve kryesore, përfshirë masat parandaluese.
  2. Vlerësim teknik i pajisjeve dhe sistemeve thelbësore për sigurinë e minatorëve, përfshirë furnizimin me energji, transportin, komunikimin dhe daljet emergjente.
  3. Kontroll të daljeve dhe planeve emergjente, të shoqëruar me ushtrime praktike evakuimi.
  4. Plan investimesh për sigurinë, me buxhet, afate dhe përgjegjësi të qarta.
  5. Përfshirje sistematike të Sindikatës dhe kontrolle pasuese nga inspektoratet për zbatimin e masave.

Minatorët duhet të kryejnë punën e tyre në kushte të sigurta. Përgjegjësia për këtë nis përpara incidentit, me parandalim, mirëmbajtje dhe investime që forcojnë aftësinë e ndërmarrjes për të përballuar ndërprerjet, për t’u përshtatur dhe për të rikthyer punën në kushte të sigurta.