Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” mbajti takimin e Grupit Tematik të Asambleistëve për Politika dhe Shërbime Sociale në Komunën e Graçanicës.
Takimi kishte për qëllim identifikimin e çështjeve kryesore sociale në komunë, diskutimin mbi grupet më të cenueshme dhe shqyrtimin e qasjes së qytetarëve në shërbimet sociale.
Në fillim të takimit u prezantuan dhe diskutuan të dhëna të Agjencisë së Statistikave të Kosovës lidhur me profilin demografik të Graçanicës dhe treguesit kryesorë të mirëqenies sociale. Të dhënat shërbyen si pikënisje për diskutimin mbi nevojat sociale të qytetarëve, shtrirjen e skemave të mbështetjes dhe funksionimin e shërbimeve ekzistuese në komunë.
Gjatë diskutimit, asambleistët veçuan familjet me fëmijë me aftësi të kufizuara dhe komunitetet në gjendje më të rënduar socio-ekonomike si grupe që kërkojnë vëmendje më të madhe institucionale. U diskutua gjithashtu për mundësitë e mbështetjes shtesë nga komuna për familjet që kujdesen për fëmijë me nevoja të veçanta, si dhe për kriteret dhe format ekzistuese të mbështetjes financiare.
Pjesëmarrësit diskutuan edhe për skemat e ndihmës sociale dhe mbështetjen e njëhershme që ofrohet në nivel komunal. U theksua nevoja për informim më të mirë rreth kritereve, numrit të përfituesve dhe mënyrës se si format e ndryshme të mbështetjes lidhen ndërmjet tyre.
Një pjesë e veçantë e diskutimit iu kushtua shtëpive të komunitetit dhe shërbimeve rezidenciale që funksionojnë në Graçanicë. Nga diskutimi u evidentua se informacioni i asambleistëve për funksionimin, kapacitetet dhe nevojat e këtyre shërbimeve mbetet i kufizuar, veçanërisht sa i përket shërbimeve për personat me aftësi të kufizuara. Kjo u identifikua si një fushë ku nevojitet komunikim dhe informim më i mirë ndërmjet institucioneve përgjegjëse dhe Kuvendit Komunal.
U trajtua gjithashtu lidhja ndërmjet gjendjes socio-ekonomike të familjeve dhe qasjes në arsim e shëndetësi, përfshirë transportin e nxënësve, shërbimet parashkollore dhe qasjen në shërbime shëndetësore.
Diskutimi nxori në pah nevojën për një pasqyrë më të plotë të shërbimeve sociale që ofrohen në Graçanicë, kapaciteteve të tyre dhe nevojave që mbeten të pambuluara.
Takimi shërbeu si hap i parë për identifikimin e çështjeve prioritare që Grupi Tematik do t’i trajtojë në vazhdim, me fokus në përmirësimin e qasjes në shërbime, mbështetjen e grupeve të cenueshme dhe fuqizimin e rolit të asambleistëve në trajtimin e politikave sociale në nivel lokal.
Hapi i radhës do të jetë organizimi i një takimi të përbashkët me organizatat që ofrojnë shërbime sociale, aktivistë dhe qytetarë të Graçanicës, me qëllim që të zgjerohen diskutimet dhe të identifikohen më qartë nevojat dhe prioritetet sociale në komunë.
Ky aktivitet përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia



