Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari mirëpret hyrjen në fuqi të pagës minimale bruto prej 500 eurosh, si një masë të rëndësishme për përmirësimin e pozitës së punëtorëve me pagat më të ulëta në Kosovë.
Një person që punon me orar të plotë duhet të marrë një pagë që i siguron një nivel minimal të sigurisë ekonomike dhe dinjitetit. Për një kohë të gjatë, pagat e ulëta në Kosovë janë trajtuar si rezultat i pashamgshëm i strukturës ekonomike e jo edhe si pasojë e fuqisë së dobët negociuese të punëtorëve, organizimit të kufizuar sindikal dhe një modeli ekonomik që mbështetet tej mase në fuqinë e lirë punëtore. Vendimet për pagën minimale në vete bartin një problem real për sa i përket organizimit sindikal meqë e përjashtojnë thuaja se tërësisht Këshillin Ekonomik Social dhe merren drejtpërdrejt nga ekzekutivi. Po ashtu ka kohë që vendimet e qeverisë për pagën minimale nuk tregojnë formulën e përdorur për të arritur deri te shuma e caktuar. Paga minimale duhet të ketë transparencë në mënyrë që debatet për të të jenë sa më mirë të informuara dhe të bazuara në të dhëna të sakta.
Rritja nga 350 në 500 euro përfaqëson një rritje prej 42.9%. Sipas vlerësimeve të publikuara nga Instituti GAP, nga rritja në dy faza gjatë vitit 2026 pritet të përfitojnë rreth 130,000 punëtorë me orar të plotë, ose rreth 36% e të gjithë të punësuarve me orar të plotë. Kostoja shtesë e drejtpërdrejtë për punëdhënësit vlerësohet të kalojë 85 milionë euro, që përbën afërsisht 2% të fondit të përgjithshëm të pagave në Kosovë.
Këto të dhëna dëshmojnë njëkohësisht rëndësinë sociale të masës dhe shkallën e sfidës së zbatimit të saj.
Suksesi i këtij vendimi nuk mund të matet vetëm përmes ndryshimeve të regjistruara në kontratat e punës ose në deklarimet e pagave. Ai duhet të matet me shumën që punëtorët e marrin realisht.
Qeveria, Administrata Tatimore dhe Inspektorati i Punës duhet të parandalojnë rastet kur punëdhënësit e deklarojnë formalisht pagën prej 500 eurosh, por e shmangin detyrimin ligjor përmes praktikave të paligjshme, si:
- zvogëlimi formal i orarit të deklaruar të punës, pa zvogëluar kohën reale të punës;
- regjistrimi i punëtorëve me orar të plotë si të punësuar me orar të pjesshëm;
- pagesa e pagës ligjore përmes llogarisë bankare, duke i kërkuar punëtorit që një pjesë të shumës ta kthejë në para të gatshme;
- zëvendësimi i marrëdhënies së rregullt të punës me marrëveshje joformale ose kontrata fiktive;
- largimi i punëtorëve nga puna dhe ripunësimi i tyre me kushte më pak të sigurta.
Instituti kërkon një plan të koordinuar zbatimi, i cili duhet të përfshijë inspektime të orientuara në sektorët më të prekur nga rritja, kanale të sigurta për raportimin e shkeljeve dhe publikimin e rregullt të të dhënave për nivelin e respektimit të ligjit, sipas sektorëve ekonomikë dhe komunave.
Kjo është veçanërisht e nevojshme në sektorin privat dhe në sektorët me nivel të ulët ose pa organizim sindikal, ku punëtorët kanë më pak mundësi për mbrojtje kolektive dhe janë më të ekspozuar ndaj praktikave të shmangies së detyrimeve ligjore.
Një pagë minimale që nuk monitorohet në mënyrë efektive rrezikon t’i ndajë punëtorët në dy grupe: ata që mbrohen nga ligji dhe ata, cenueshmëria e të cilëve u lejon punëdhënësve ta anashkalojnë atë.