Nga informimi i qytetarëve te planifikimi buxhetor: prioritetet sociale të Prizrenit

Informimi i qytetarëve, mbështetja për personat me aftësi të kufizuara, kujdesi për të moshuarit dhe planifikimi i shërbimeve sociale ishin disa nga temat kryesore të diskutimit në takimin e parë të Grupit Tematik të Asambleistëve për Politika dhe Shërbime Sociale në Prizren, të organizuar nga Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari.

Grupi Tematik për Politika dhe Shërbime Sociale është një mekanizëm i përbërë nga asambleistë të deleguar nga shefat e grupeve politike në kuvendin komunal. Ai synon të krijojë një hapësirë të qëndrueshme bashkëpunimi dhe diskutimi rreth nevojave sociale të qytetarëve, duke afruar përvojat dhe shqetësimet e komunitetit me proceset e vendimmarrjes lokale.

Një nga temat që dominoi diskutimin ishte informimi i qytetarëve për të drejtat dhe shërbimet sociale. Pavarësisht ekzistimit të skemave dhe mekanizmave të ndryshëm të mbështetjes, u vlerësua se shumë qytetarë vazhdojnë të mos kenë informata të mjaftueshme për mënyrën e qasjes në këto shërbime. Për këtë arsye, u nënvizua nevoja për aktivitete më të shpeshta informuese dhe për një komunikim më të afërt ndërmjet institucioneve dhe komunitetit.

Vëmendje e konsiderueshme iu kushtua edhe personave me aftësi të kufizuara. Diskutimi nxori në pah mungesën e hapësirave të përshtatshme për aktivitete, socializim dhe mbështetje të specializuar, si dhe nevojën për investime që do të mundësonin një përfshirje më të plotë të tyre në jetën shoqërore. Në këtë kontekst u fol edhe për rëndësinë e krijimit të kushteve më të mira për fëmijët me nevoja të veçanta dhe familjet e tyre.

Pjesëmarrësit ndalën vëmendjen edhe te nevoja për zgjerimin e shërbimeve sociale me bazë në komunitet. U diskutua mundësia që hapësira të ndryshme publike të shfrytëzohen për ofrimin e këshillimit social, aktiviteteve komunitare dhe formave të tjera të mbështetjes për grupet në nevojë. Në të njëjtën linjë u përmend edhe ideja e krijimit të një kuzhine popullore, e cila do të mund të ndihmonte individët dhe familjet që përballen me vështirësi ekonomike.

Një tjetër shqetësim i ngritur ishte gjendja e të moshuarve, veçanërisht e atyre që jetojnë vetëm dhe kanë nevojë për kujdes dhe mbështetje të vazhdueshme. Mungesa e shërbimeve të mjaftueshme komunitare, e hapësirave për socializim dhe e programeve të dedikuara për këtë kategori u identifikua si një sfidë që kërkon më shumë vëmendje në nivel lokal.

Diskutimi trajtoi gjithashtu qasjen e komuniteteve joshumicë në shërbimet komunale dhe rëndësinë e respektimit të të drejtave gjuhësore. U vlerësua se qasja e barabartë në informata dhe komunikimi institucional në gjuhët zyrtare mbeten elemente thelbësore për një përfshirje më të plotë të të gjitha komuniteteve në jetën publike.

Çështjet që lidhen me gratë dhe fuqizimin e tyre ekonomik zinin po ashtu një vend të rëndësishëm në diskutim. Krahas sfidave me të cilat përballen gratë viktima të dhunës në familje, u theksua nevoja për mbështetje më të madhe institucionale dhe për krijimin e mundësive që ndihmojnë pavarësinë e tyre ekonomike përmes punësimit dhe vetëpunësimit.

Në fund të diskutimit, pjesëmarrësit u pajtuan se planifikimi buxhetor duhet të pasqyrojë më qartë nevojat sociale të qytetarëve. Mbështetja për personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit, gratë, të rinjtë dhe familjet në nevojë u identifikua si një nga prioritetet që duhet të reflektohen më drejtpërdrejt në politikat dhe investimet komunale.

Si hap i ardhshëm, Grupi Tematik u dakordua të organizojë një diskutim të veçantë me qytetarë, Drejtorinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Qendrën për Punë Sociale dhe organizatat që ofrojnë shërbime sociale. Ky proces synon të krijojë një pasqyrë më të qartë mbi gjendjen aktuale të shërbimeve sociale në Prizren dhe të shërbejë si bazë për rekomandimet dhe veprimet e ardhshme në nivel lokal.

Ky aktivitet përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia.