Asambleistët e Graçanicës kërkojnë më shumë investime në arsim, integrim dhe përfshirje sociale

Arsimi, punësimi dhe integrimi social i komuniteteve joshumicë mbeten ndër sfidat kryesore në Graçanicë, një komunë me shumicë serbe. Këto ishin disa nga temat kryesore të diskutimit në takimin e organizuar nga Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari me asambleistët e Komunës së Graçanicës, në kuadër të aktiviteteve për dialog dhe kohezion social.

Gjatë takimit u diskutua për situatën e komuniteteve joshumicë në komunë, me fokus të veçantë te komuniteti rom, si dhe për sfidat që lidhen me arsimin, punësimin, integrimin social dhe përfaqësimin institucional. Asambleistët vlerësuan se, ndonëse ekzistojnë mekanizma institucionalë për adresimin e çështjeve të komuniteteve, nevojitet një angazhim më i madh për të siguruar përfshirje më efektive në proceset vendimmarrëse dhe qasje më të mirë në shërbimet publike.

Arsimi u identifikua si një nga sfidat më të rëndësishme. Sipas pjesëmarrësve, niveli i ulët i arsimimit, braktisja e hershme e shkollimit, mungesa e njohjes së gjuhëve të komuniteteve të tjera dhe mundësitë e kufizuara për aftësim profesional vazhdojnë të pengojnë integrimin ekonomik dhe shoqëror. U theksua gjithashtu nevoja për investime më të mëdha në edukimin e hershëm dhe mbështetjen e të rinjve në vazhdimin e arsimit.

Pjesëmarrësit diskutuan edhe për sfidat socio-ekonomike me të cilat përballen komunitetet joshumicë, përfshirë qasjen në tregun e punës, mbështetjen për zhvillim ekonomik dhe nevojën për politika më efektive në nivel lokal. U vlerësua se investimet në arsim, infrastrukturë dhe aktivitete ndërkulturore mund të luajnë rol të rëndësishëm në forcimin e kohezionit social dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.

Një pjesë e diskutimit iu kushtua Planit Lokal të Veprimit për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Asambleistët theksuan rëndësinë e funksionalizimit të tij dhe krijimit të mekanizmave që do të mundësonin zbatimin më efektiv të masave dhe rekomandimeve të parapara në plan.

Një nga propozimet që ngjalli më së shumti debat ishte krijimi i një institucioni arsimor multietnik në Graçanicë, duke filluar nga edukimi i hershëm. Sipas pjesëmarrësve, një iniciativë e tillë do të mund të kontribuonte në afrimin e komuniteteve, tejkalimin e barrierave gjuhësore dhe krijimin e kontakteve të hershme ndërmjet fëmijëve të komuniteteve të ndryshme. Megjithatë, u theksua se realizimi i kësaj ideje kërkon mbështetje më të gjerë institucionale dhe shoqërore.

Takimi nxori në pah nevojën për investime më të mëdha në arsim, integrim dhe përfshirje sociale, si parakushte të rëndësishme për zhvillimin afatgjatë të komuniteteve dhe forcimin e kohezionit social në komunën e Graçanicës.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit “Nxitja e Dialogut Politik mbi Kohezionin Ndëretnik dhe Social”, me mbështetjen e National Endowment for Democracy (NED).