Temat politike vazhdojnë të prodhojnë tensione dhe të thellojnë distancën mes komuniteteve në Mitrovicën e Veriut, ndërsa lodhja nga polarizimi politik po e shtyn gjithnjë e më shumë nevojën për fokusim te problemet reale të qytetarëve. Ky ishte një nga përfundimet kryesore të takimit të organizuar nga Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari në Mitrovicën e Veriut, në kuadër të aktiviteteve për dialog dhe bashkëjetesë ndërkomunitare, me pjesëmarrës nga komuniteti shqiptar, serb dhe boshnjak, përfshirë asamblistë të kuvendit komunal, pjesëtarë të shoqërisë civile, sektorit privat, aktivistë lokalë etj.
Gjatë dialogut u diskutua për marrëdhëniet ndërkomunitare, sfidat e përditshme dhe të ardhmen e qytetit. Pjesëmarrësit theksuan se temat politike dhe narrativat polarizuese vazhdojnë të ndikojnë negativisht në afrimin mes komuniteteve, ndërsa pengesat gjuhësore dhe mungesa e komunikimit mbeten sfida të rëndësishme. Disa pjesëmarrës nga komuniteti serb nënvizuan se afrimi me komunitetin shqiptar shpesh mund të perceptohet negativisht nga rrethi shoqëror apo familjar, gjë që krijon hezitim dhe presion shtesë për kontaktet ndërkomunitare.
Megjithatë, pjesëmarrësit vlerësuan se ekzistojnë shumë elemente të përbashkëta dhe nevoja të ngjashme mes komuniteteve, sidomos në aspektin social dhe ekonomik. U theksua nevoja që fokusi të zhvendoset më shumë drejt problemeve konkrete që prekin jetën e përditshme të qytetarëve, si punësimi, zhvillimi lokal, arsimi dhe mirëqenia sociale.
E ardhmja e të rinjve ishte ndër temat kryesore të diskutimit. Pjesëmarrësit shprehën shqetësim për mungesën e vendeve të punës, perspektivës dhe mundësive për zhvillim profesional, çka po ndikon në rritjen e migrimit të të rinjve. U theksua se shumë të rinj, edhe pas përfundimit të studimeve, vazhdojnë të përballen me papunësi dhe mungesë perspektive në qytet.
Në diskutim u trajtua edhe mungesa e hapësirave të përbashkëta kulturore dhe sportive, të cilat mund të ndihmonin në afrimin e komuniteteve dhe krijimin e më shumë kontakteve mes të rinjve. Pjesëmarrësit vlerësuan se aktivitetet kulturore, sportive dhe iniciativat lokale mund të luajnë rol të rëndësishëm në ndërtimin e besimit dhe komunikimit ndërmjet komuniteteve.
Nga institucionet lokale u kërkua më shumë angazhim konkret për zhvillim ekonomik, aktivitete për të rinjtë dhe gratë, si dhe më shumë hapësirë për iniciativa dhe dialog lokal. Pjesëmarrësit theksuan gjithashtu mungesën e kurseve profesionale dhe të mundësive praktike për aftësim dhe zhvillim ekonomik.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit “Nxitja e Dialogut Politik mbi Kohezionin Ndëretnik dhe Social”, me mbështetjen e National Endowment for Democracy (NED).
