Gjuha e përdorur nga deputeti i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, z.Fatos Geci, ndaj deputetes së PDK-së, znj.Vlora Çitaku, është e papranueshme, denigruese dhe përbën shprehje të qartë të seksizmit. Deklarata të tilla nuk janë vetëm ofendime individuale, por forma të dhunës simbolike dhe mekanizma përmes të cilëve gratë delegjitimohen, denigrohen dhe margjinalizohen në politikë.
Sulmet ndaj jetës private dhe statusit civil të një gruaje janë shfaqje e hapur e kulturës patriarkale. Edhe më shqetësuese është kur kjo gjuhë vjen nga përfaqësues të pushtetit, pasi normalizon idenë e heshtjes së opozitarizmit përmes mizogjinisë dhe forcimit të stereotipeve gjinore. Qëndrimet e tilla, edhe kur janë individuale të deputeteve, shkojnë ndesh me idenë e barazisë dhe me qëllimet progresive në përgjithesi.
Heshtja përballë këtyre deklaratave kontribuon në normalizimin e seksizmit institucional, andaj Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari kërkon:
- Distancim publik nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje;
- Kërkimfalje publike nga deputeti z.Fatos Geci;
- Masa disiplinore dhe mekanizma institucionalë kundër gjuhës seksiste në politikë.
Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari mbetet i përkushtuar për një hapësirë publike të barabartë e dinjitoze dhe nuk do ta normalizojë gjuhën seksiste apo përjashtimin e grave nga jeta publike.
Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari
Prishtinë, 23 Prill 2026