Takim me Sindikatën e Pavarur të Minatorëve të Trepçës: sfidat dhe nevoja për forcimin e dialogut social

Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari zhvilloi një takim me Sindikatën e Pavarur të Minatorëve të Trepçës, ku u diskutuan sfidat kryesore me të cilat përballen punëtorët dhe vetë organizimi sindikal.

Përfaqësuesit e sindikatës theksuan se një nga shqetësimet kryesore mbetet mungesa e dialogut social. Aktualisht nuk ka bisedime për kontratën kolektive, pagën e 13-të dhe çështje të tjera që lidhen me të drejtat e punëtorëve, të cilat shpesh nuk respektohen.

Në takim u diskutua edhe për zgjedhjet e brendshme në sindikatë, të cilat pritet të mbahen së shpejti, duke u identifikuar si një mundësi konkrete për mbështetje nga Instituti. Një tjetër çështje problematike është ndryshimi i një udhëzimi administrativ, i cili ka pamundësuar deri më tani regjistrimin e sindikatës.

Sa i përket bashkëpunimit të mëtejmë ndërmjet Institutit dhe sindikatës, u identifikuan disa fusha kryesore: avokimi për ndryshime ligjore në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve të Trepçës; forcimi i bashkëpunimit ndërmjet sindikatave; përgatitja për rifillimin e dialogut social, në funksion të proceseve integruese drejt Bashkimit Evropian; si dhe zhvillimi i komunikimit me sindikata të ngjashme në vendet e BE-së.

Gjatë diskutimit u theksua se sindikatat dikur kanë qenë zëri më i fuqishëm i punëtorëve, edhe në periudha më të vështira politike. Megjithëse sot ekziston një organizim më formal, ato nuk e kanë më ndikimin e dikurshëm, ndërsa ndikimi partiak është rritur ndjeshëm.

U ngritën gjithashtu shqetësime serioze për shkeljen e të drejtave të punëtorëve të Trepçës, përfshirë mungesën e sigurimit shëndetësor, mungesën e pensionimit të parakohshëm dhe mospagesën e kontributeve në trustin pensional. U theksua gjithashtu se rritja e fundit e pagave ka ndodhur në vitin 2016, në nivel prej 20%.

(Ky aktivitet përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) “EJA Kosovë”, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia).