- March 13, 2023
- Posted by: marigone
- Category: Balline, Uncategorized @sq

Plagosja e djeshme e dy qytetarëve nga Shtërpca është akt kriminal. Të plagosurëve ju urojmë shërim të shpejtë dhe pa pasoja. Ndonëse nuk mund ende ta paragjykojmë motivin e shtënies me armë, organet përgjegjëse duhet me shpejtësi ta zbardhin rastin. T’i analizojnë dhe publikojnë rrethanat, si dhe ta shqiptojnë dënimin meritor për dorasin. Duhet reaguar shpejtë me drejtësi dhe me politika të duhura. Stefan Stojanoviq (11 vjet) dhe Millan Stojanoviq (21 vjet) janë qenie njerëzore. Janë bashkëvendës tanë. Janë qytetarë të Republikës. Për më tepër, ky rast është edhe më i ndjeshëm dhe lehtësisht i instrumentalizueshëm. Sepse njëri nga viktimat është i mitur. Sepse të plagosurit i përkasin komunitetit joshumicë serb. Sepse i dyshuari është pjesëtar i Forcës së Sigurisë të Kosovës.
Pra një person i uniformuar dhe i armatosur nga Republika. Secili pjesëtar i shërbimeve publike, veçanërisht ata/o të sigurisë, duhet ta kuptojnë që nuk munden dhe nuk duhet kurrë ta shohin veten vetëm si person privat. Ajo/ai në çdo kohë është në shërbim të Republikës. Kështu e kërkon profesioni i zgjedhur. Sëkëndejmi përgjegjësia e saj/tij është 24 orëshe. Prandaj, institucionet shtetërore duhet të jenë jashtëzakonisht të vëmendshme dhe të veprojnë me dinamizëm të shtuar. Aq më tepër që muajt e fundit kemi pasur rrethana të tilla politike që kanë ndikuar në stërkeqjen e marrëdhënieve shqiptaro-serbe, si dhe në thellimin e retorikës nacionaliste. Gjithnjë duhet pasur parasysh se ligjërimet me gjuhë të urrejtjes lartë munden pakontrollueshëm të përkthehen në nxitje të urrejtjes poshtë. Këtë e shohim edhe nga reagimet e jo pak qytetarëve.
Pavarësisht të vërtetës prapa rastit të Shtërpcës, të cilën ende nuk e kemi, shumë reagime që mund të lexohen nga qytetarët e Republikës përmes rrjeteve sociale janë barometër shqetësues për atë se si e shohim ne qytetarin e Republikës, Republikën e Kosovës dhe kohezionin shoqëror. Askujt nuk i lejohet që të gjykojë një komunitet kolektivisht. Secili qytetar i Republikës është i barabartë dhe ka rëndësi për Kosovën. Nuk do ta kemi kurrë një Kosovë të lirë e sovrane, një shoqëri bashkëpunuese dhe të barabartë, një mundësi progresi e prosperiteti, po nuk e ndërtuam një Kosovë të përbashkët, ku secili i gëzon të drejtat, mundësitë e liritë në mënyrë të barabartë, dhe ku secili i bartë përgjegjësitë barabarësisht karshi shtetit, të drejtës dhe ligjit.
Kështu që jo: Republika e Kosovës nuk bëhet më e fortë duke sulmuar, diskriminuar dhe shtypur Tjetrin dhe të Ndryshmin. Kështu dobësohet Republika. E përkeqësohet jeta për të gjithë ne dhe secilin prej nesh.