Të ndryshohet Ligji i Punës dhe të rritet paga minimale

Ky 1 Maj po e gjen botën dhe Kosovën duke u ballafaquar me pasojat shëndetësore dhe ekonomike të pandemisë COVID-19.

Pozita e punëtorëve në Kosovë nuk ka ndonjë përmirësim domethënës as në këtë vit. Paga minimale nuk ka lëvizur nga shuma 170 EUR në muaj (siç ishte caktuar në vitin 2011), edhe pse gjatë kësaj kohe ka pasur një rritje të çmimit të jetesës për mesatarisht 3% në vit (shkalla e inflacionit). Rrezikshmëria në punë ka pësuar një rënie të vogël gjatë këtij viti (1 Maj 2019 – 1 Maj 2020). Gjatë vitit 2019 në Kosovë kanë humbur jetën 11 persona në vendin e tyre të punës.

Por më e rënda në këtë kohë është situata ekonomike e sociale e krijuar si pasojë e pandemisë. Ajo më së shumti po i godet shtresat më të varfëra të shoqërisë – rastet sociale, të papunët, por edhe të punësuarit me të ardhura të ulëta, sidomos ata të sektorit privat.

Instituti për Politika Sociale « Musine Kokalari » fton Qeverinë e Republikës së Kosovës që ta bëjnë një prej prioriteteve të para, pas rikthimit në normalitet, trajtimin e pagës minimale, në mënyrë që të punësuarëve në Kosovë, t’u mundësohet një jetesë e dinjitetshme përmes pagës së tyre. Aktualisht një pagë e tillë nuk do të duhej të ishte nën 300 euro. Kjo pagë minimale duhet të rishikohet për çdo vit, në mënyrë që të përditësohet karshi zhvillimeve në ekonominë reale të vendit.

Po ashtu, i bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që të fillojnë procedurat për amandamentimin e Ligit të Punës. Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit të Punës do ta eliminonte fleksibilitetin e skajshëm absurd të kontrateve të punës, në funksion të garantimit të sigurisë në vendin e punës dhe në të drejtën e organizimit sindikal.

Në Ligjin në fuqi të Punës nuk ka afat minimal për lidhjen e kontratës së punës. I vetmi afat i caktuar aty është ai maksimal (10 vite) për një kontratë për afat të caktuar. Nëse këtë e tejkalon kontrata, atëherë ajo konsiderohet si kontratë për afat të pacaktuar. Mungesa e afatit minimal (p.sh. ndalimi i kontratës më të shkurtë se 1 vit) krijon pasiguri të madhe për punëtorët, meqë është dëshmuar tashmë që kontratat afatshkurtëra përdoren shpehsherë si mjet disiplinimi për punëtorët, për shkak se e rrisin jashtëzakonisht shumë arbitraritetin e punëdhënësit dhe cungojnë të drejtat e punëtorëve.

Në njërën anë rrezikohet kategoria e punëtorëve të cilët janë pa kontrata të rregullta, e në anën tjetër punëtorët me kontrata afatshkurta dhe pa kurrfarë mbështetje institucionale. Duke qenë njëkohësisht të shumtën të punësuar në vende pune që nuk kërkojnë punë të kualifikuar, ata janë lehtë të zëvendësueshëm.

Dhe për fund, është e domosdoshme që të zgjerohet e fuqizohet organizimi sindikal nëpër të gjithë sektorët e ekonomisë e të industrisë. Veçanërisht të themelojnë e të përfshihen ne sindikata punëtorët e atyre degëve të ekonomisë të cilat aktualisht nuk janë fare të përfshira në sindikata.

Urime 1 Maji të gjithë punëtorëve !



Leave a Reply