Tryezë: Të dinamizohet diskutimi për modelin e shtetit social në Kosovë

Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari ka mbajtur sot në Prishtinë tryezën “Politikat Sociale në institucione – Mbikëqyrësi Social: angazhimi i deputetëve për politikat sociale”. Në tryezë ku u diskutua për politikat sociale, si dhe rëndësisë së Shtetit të Mirëqenies për Republikën e Kosovës, morrën pjesë deputetë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët vlerësuan se duhet të dinamizohet diskutimi për dialogun social dhe t’i kushtohet më shumë vëmendje rëndësisë së Shtetit të mirëqenies.Në panel diskutuan z.Armend Zemaj, deputet dhe zv.kryetar i Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale; z.Artan Mustafa, studiues dhe hulumtues i politikave sociale dhe z.Visar Ymeri, Drejtor ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale Musine Kokalari. Nga ana e tyre, znj.Fjolla Muçaj dhe z.Naim Jakaj, nga IPS Musine Kokalari paraqiten të dhënat e mbledhura dhe të analizuara të Raportit të tyre: “Mbikëqyrësi Social për vitin 2021”. “Edhe pse mirëqenia sociale mbetet e padefinuar, gjatë tërë vitit të kaluar nuk kemi arritur as ta diskutojmë atë, jo për fajin e deputetëve.

Kosova duhet ta fillojë dialogun social dhe reformën sociale”, deklaroi z.Armend Zemaj.Duke përmendur shtesat për fëmijët dhe nënat e papuna si nisma të rëndësishme në kuadër të politikave sociale, z.Artan Mustafa ngriti nevojën e reformimit të shtetit social në drejtim të ndërrimit të përqendrimit kah popullata në moshë pune për t’i barazpeshuar këto politika në aspektin ndërgjenerativ. “Kosova ka nevojë për sigurime shoqërore të cilat do t’i mbulonin një gamë më të gjerë të nevojave sociale dhe kështu të rritet konkurrueshmëria e shtetësisë sonë”, tha ai duke e vënë theksin te faktori i sigurisë sociale si një prej shkaqeve te emigrimit.

Deputeti Shemsedin Dreshaj, nga Komisioni për shëndetësi dhe mirëqenie sociale, deklaroi se ndërrimi i shpeshtë i qeverive ka shkaktuar probleme në fushën sociale meqë politikat kanë qenë të atypëratyshme dhe shpesh të lëna në gjysëm. Ai kritikoi qeverinë aktuale që nuk i merr fare parasysh punën e qeverive të kaluara në këtë drejtim, si dhe që është e domosdoshme që skemat sociale të reformohen në tërësi. Dreshaj shtoi se fakti që qeveria aktuale i kanë lënë këto ligje për fund të vitit rrezikon që të shtyhen diskutim e miratim për vitin e ardhshëmm që pastaj të vonohet zbatimi i tyre deri më 2024.“Kosova ka mungesë të dokumenteve strategjike për Shëndetësinë ose Mirëqenien Sociale”, pohoi deputeti Burim Meta duke parashtruar nevojën e shtimit të komponentës së punës në aspektin social në Komisionin për shëndetësi dhe mirëqenie sociale.

Në përmbyllje të tryezës, z.Visar Ymeri vuri në pah rëndësinë për një diskutim më të gjerë e gjithëpërfshirës për modelin e shtetit social për të cilin ka nevojë Kosova dhe i cili do të kishte me qenë më i zbatueshmi. “Përcaktimi thebësor është mes asaj nëse do të përqendrohemi te kushtet e punës (paga, etj) dhe përmes tyre të sigurohemi që krijojmë barazi më të madhe në shoqëri, apo t’ia lëmë tregun e punës parimit të lirisë e t’i mbulojmë pastaj zbrazëtirat përmes skemave sociale. Të dyja këto modele i kanë të mirat dhe të këqijat. Shteti i mirëqenies ndërtohet në kuadër të një vizioni afatgjatë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik e shoqëror dhe nuk bën të shihet as i ndarë dhe as jashtë tij”, konkluoi ai. Tryeza “Politikat Sociale në Institucione – Mbikëqyrësi Social: angazhimi i deputetëve për politikat sociale” është përkrahur nga Olof Palme International Center – Prishtinë.

28 shkurt 2022



Leave a Reply