Rritja e përfaqësimit të grave në Kuvend: Të harmonizohet ligji për barazi gjinore me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme

Legjislatura e VIII e Kuvendit të Kosovës do t’i ketë gjithsej 44 deputete gra. Ky është një sukses i veçantë i këtyre zgjedhjeve. Për më tepër, kur merret parasysh se 35 prej tyre janë zgjedhur pa ndihmën e kuotës gjinore. Kjo tregon për një fillim të emancipimit të votuesit kosovar në raport me përfaqësimin gjinor. Por më shumë tregon se performanca e grave deputete ka ndikuar në thyerjen e tabuve dhe paragjykimeve për pjesëmarrjen e grave në jetën publike, politike e shoqërore.

Megjithë suksesin në këto zgjedhje, pabarazia shoqërore me bazë gjininë vazhdon të jetë e madhe dhe e dëmshme. 44 deputete prapë nuk mjaftojnë. Nëse e zbërthejmë në përqindje këto janë vetëm 36.66% e Kuvendit të Kosovës, që nënkupton se ende 63.34% e Kuvendit popullohet nga burrat. Ndërsa situata në jetën ekonomike e shoqërore në përgjithësi është shumë më e nderë.

Përpjekjet për barazi nuk përfundojnë pasiqë barazia nuk mjaftohet me përmirësim të përfaqësimit, por me sanim të aspekteve diskriminuese e shtypëse ndaj grave të inkorporuara në sistemin tone shoqëror e politik dhe në traditën tonë kulturore partiarkale. Por megjithatë barazia në institucione është një domosdoshmëri dhe pikënisje e mirë.

Në këtë drejtim, kuota prej 30% ka treguar sukses të jashtëzakonshëm, që vërehet në secilin proces zgjedhor. E veçanërisht në këtë të 14 shkurtit 2021. Prandaj është e domosdoshme që Kuvendi i ri ta ketë prioritet ndryshimin e Ligjit bazik për Zgjedhjet e Përgjithshme, më saktësisht Nenin 27 të tij, për ta vënë atë në harmoni me Ligjin për Barazi Gjinore, për ta garantuar kështu përfaqësim të barabartë gjinore në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kjo do të nënkuptonte ngritjen e kuotës në 50%, që do ta prodhonte një Kuvend me 60 deputete.

Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” përshëndet dhe mbështet nismën e Balkans Policy Research Group për arritjen e këtij ndryshimi dhe fton partitë politike që ta miratojnë këtë ndryshim.

6 mars 2021



Leave a Reply