Rritja e pensioneve bazike: Qasja e parcializuar rrezikon të shndërrohet në pengesë për reformat e thella transformuese e të nevojshme

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme të saj, vendosi për rritjen e pensioneve bazike (nga 90 në 100 euro), pensionet e aftësive të kufizuara (nga 75 në 100 euro), pensioneve familjare, si dhe pensionet invalidore të punës (nga 90 në 100 euro). Sipas Qeverisë, nga ky vendim do të përfitojnë rreth 175 mijë pensionmarrës nga kategoritë e përmendura.

Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari konsideron se çdo rritje monetare për kategoritë sociale është e vlefshme dhe më se e nevojshme. Por, ky vendim nuk i trajton pensionet në mënyrë të mirëfilltë dhe as nuk i adreson nevojat për mirëqenien e pensionistëve. Nga vendimi i Qeverisë shihet se:

  • Rritjet aktuale nuk janë mjaftueshëm të shpjeguara, as në kuptimin e efektit të tyre aktual dhe as në qëllimet afatgjate të Qeverisë së Kosovës karshi nevojave sociale të vendit.
  • Qasja e parcializuar karshi problemeve dhe mangësive të shtresëzuara e të ndërlidhura, jo vetëm që nuk zgjidh ndonjë gjë, por rrezikon të shndërrohet në pengesë për reformat e thella transformuese e të nevojshme për sistemin tonë social.

Qeveria duhet ta nisë reformën pensionale në mënyrë që tërësia e saj, por edhe mënyra e veçantë e rregullimit të synojë ofrimin së paku të një standardi minimal të jetesës për qytetarët pensionistë të Kosovës. Për këtë çështje, duhet të nisë sa më parë konsultimi publik me të gjitha kategoritë e caktuara, mediat e shoqërinë civile që për kohë të gjatë ka punuar dhe avokuar për sistem të mirëfilltë pensional.

Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari

Prishtinë, 12 janar 2022



Leave a Reply