Publikohet numri i parë i Monitoruesit Social: Paga minimale si instrument efektiv i mbrojtjes sociale

Instituti për Politika Sociale ‘Musine Kokalari’ fton Qeverinë e Republikës së Kosovës që ta trajtojë efektin e mbrojtjes sociale kur të vendos për nivelin e ri të pagës minimale. Kjo do ta bënte pagën minimale si instrument të kapërcimit të varfërisë duke e zvogëluar pabarazinë në të ardhura, si instrument efektiv të mbrojtjes sociale dhe element në strategjinë e zhvillimit të ekonomisë.

Siç dihet, një prej zotimeve domethënëse të Qeverisë së Republikës së Kosovës në raport me kushtet e punës është edhe ai për rritjen e pagës minimale në vend, nga 170 (130) euro në 250 euro. Ky zotim i cili nuk është shndërruar ende në vendim e bën unifikimin e pagës minimale në një nivel të vetëm për të gjithë punëtorët, duke e zhbërë padrejtësinë tashmë të ndarjes së pagës sipas grupmoshave. Për më tepër e rrit nivelin e pagës minimale në Republikën e Kosovës.

Instituti për Politika Sociale ‘Musine Kokalari’ vlerëson se paga e re minimale duhet ta marrë parasysh linjën e varfërisë (at-risk-of-poverty) në të hyra të disponueshme të familjeve, si dhe të përcaktohet në bazë të mesatares ose mesores së rrogave mbi të dhëna administrative.

Qeveria së bashku me partnerët socialë duhet ta monitorojnë efektin e vendosjes së pagës minimale, në mënyrë që vlerësimi i përvitshëm të jetë real dhe i prekshëm. Ekzekutivi duhet të fokusohet dhe të qaset në studime mbi efektet e pagave minimale në variabla të tillë, si pagat, punësimi, informaliteti, orët e punës, hendeku i pagave gjinore, pabarazia e të ardhurave ose varfëria. Këto studime duhet t’i monitorojnë efektet e çmimeve dhe të elementeve të ndryshëm të kërkesës agregate, duke përfshirë konsumin familjar, investimet ose konkurrencën e eksporteve.

Më poshtë, vegëza në të cilën mund ta shkarkoni raportin:

27 gusht 2021



Leave a Reply