Kush jemi ne?

Instituti “Musine Kokalari” është institut i pavarur që promovon vlerat sociale dhe demokratike, duke u angazhuar për politika progresive në Republikën e Kosovës. 

Ne fokusohemi në konceptualizimin dhe në promovimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të barabartë, e cila duke u përqendruar në të ardhmen, t’i tejkalojmë dallimet, zvogëlojmë hendeqet dhe të themelojmë vlera të përbashkëta publike, që bazohen në qytetari, që ndahen nga të gjithë dhe që përqafohen kolektivisht.

Instituti ynë punon drejt arritjes së një kohezioni shumë më të lartë shoqëror, të bazuar në barazi shoqërore dhe bashkëjetesë midis kulturave të ndryshme.

Një shoqëri e drejtë dhe solidare është një shoqëri e hapur, që përqafon diversitetin dhe barazinë midis anëtarëve të saj, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, religjioze, gjinore, orientimit seksual, pozitës sociale, apo nivelit të ndryshëm të kulturës dhe të arsimit.

Në këtë drejtim, Instituti përqendrohet veçanërisht në promovimin e të drejtave të grave dhe të drejtave të punëtorëve, kultivimin e diversitetit kulturor, rishpërndarjen më të barabartë të pasurisë, që nënkupton edhe rritjen e transparencës dhe efikasitetit të institucioneve shtetërore, sipas parimit të qeverisjes së mirë, racionalitetit ekonomik të çështjeve sociale, të drejtat e njeriut, mjedisin e pastër si e drejtë e njeriut e hapësirë barazie, si dhe bashkëpunimin më të mirë rajonal.

Realiteti ynë politik e shoqëror duhet të kalojë në një stad tjetër të zhvillimit e ndërveprimit. Shumë prej çështjeve me të cilat ballafaqohemi sot në Ballkanin Perëndimor, në formë sfidash e problemesh, nuk janë as të reja dhe as të veçanta. Në aktualitet ato përngjasojnë me shumë vende të rajonit, si dhe me vendet e Bashkimit Evropian. Prandaj, reformat shoqërore e politike as nuk mund t’i bëjmë të vetëm, e as nuk do të duhej të insistojmë që zgjidhjet për problemet të jenë autentike. Rrjedhimisht Bashkimi Evropian, si përmbledhje vlerash shoqërore e politike, është i pashmangshëm në përditshmërinë tonë shoqërore dhe politike.

Ne organizojmë tryeza, akademi politike, konferenca; si dhe shkruajmë qëndrime politike dhe bëjmë përkthime, hulumtime e publikime. Qëllimi i këtyre aktiviteteve është t’i forcojmë kapacitetet e brendshme për të shkruar, zbatuar dhe promovuar politikat sociale dhe demokratike. Për më tepër, ne punojmë t’i forcojmë kapacitetet dhe aftësitë sociale e qytetare për sindikatat, shoqatat dhe organizimet e tjera qytetare, për ta ngritur zërin e tyre dhe për t’i elaboruar interesat e tyre.

Ne besojmë në domosdonë e një rrjetëzimi shumë më të fuqishëm rajonal të fondacioneve, instituteve, organizatave dhe partive progresive, që mundëson një debat dhe diskutim më domethënës, më të mirë-informuar dhe më efektiv, për çështjet dhe problemet me të cilat ballafaqohemi të gjithë dhe të cilat kërkojnë përgjigje universale e jo partikulare.