Le Monde Diplomatique – Shqip
Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”, me mbështetjen e Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim (SDC) në Kosovë, boton dhe shpërndanë në Kosovë dhe në Shqipëri, mujoren e njohur franceze “Le Monde Diplomatique” në gjuhën shqipe.
Kësisoj, “Le Monde Diplomatique – Shqip” i është bashkuar dhjetëra edicioneve ekzistuese ndërkombëtare: në gjuhën angleze, gjermane, italiane, japoneze, arabe e deri në gjuhën palestineze, farsi, esperanto etj.
Shqipërimi i “Le Monde Diplomatique” është përpjekje për më shumë kohezion shoqëror, në kohën e globalizimit dhe në zemër të modernitetit numerik, ku hapësira lokale mediatike po përqendrohet çdo ditë e më tepër, në informim të shkurtër, të shpejtë dhe të lokalizuar.
Ky projekt është pjesë përbërëse e synimeve të Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, për të krijuar hapësira alternative dhe mendime progresive, në një mjedis ku jo rrallëherë në emër të lirisë së shprehjes përhapen ide ksenofobe, konservatore, eksploatuese, nacionaliste, fanatike, autoritare, oligarkike, patriarkale etj.
Duke përkthyer artikuj nga skena ndërkombëtare dhe rajonale, si dhe duke prodhuar artikuj vendorë kryesisht me karakter social, ekonomik dhe kulturor, “Le Monde Diplomatique” në shqip nuk është vetëm në shërbim të universalizimit të sociokulturës vendore, por mbi gjithash një platformë që synon ta pasurojë hapësirën mediatike e publike me tema mbi barazinë, drejtësinë sociale, qytetarinë dhe bashkëjetesën etj.