- October 21, 2021
- Posted by: Instituti Musine
- Category: Balline
Kriza energjetike që ka kapluar botën, e veçanërisht Evropën, ka filluar të ndjehet shumë edhe në rajon. Një ndër vendet e para të goditura seriozisht nga kjo krizë është Shqipëria, qeveria e së cilës ka filluar tash një kohë të flas dhe të miratojë masa për ta sanuar efektin e madh negativ që kjo krizë mund të ketë në mirëqenien e qytetarëve.
Kriza ka filluar të ndjehet edhe në Kosovë në mënyrë indirekte. Tash e një kohë shohim rritjen e çmimeve të artikujve të konsumit të gjerë, rritje këto të cilat vijnë edhe si pasojë e rritjes së çmimit të derivateve. Siç dihet, pjesa më e madhe e konsumit në Kosovë vie nga importi. Në këtë drejtim çfarëdo lëvizje në çmimin e energjisë në vendet e origjinës ndikon edhe në tregun e Kosovës. Ndikimi i dytë shumë i madh i kësaj krize në Kosovë ka filluar të shihet tash në çmimet e derivateve të naftës. Rritja e çmimit të naftës ndikon shumë sektorë të tjerë të jetës shoqërore si p.sh. transportin, i cili e ndikon mëtej çmimin e artikujve bazë.
Por ndikimi më i madh negativ pritet të jetë në tarifat e energjisë elektrike. Përkundër prodhimit të energjisë që Kosova mund të sigurojë me kosto të ulët gjatë muajve të dimrit, kërkesa jonë për energji rrite dukshëm krahasuar me kapacitetet gjeneruese. Nëse bëjmë një krahasim vetëm me tre vitet paraprake shohim se importi e tejkalon eksportin e energjisë për qindra Gwh gjatë tremujorit të I dhe atij të IV për secilin vit. Gjatë muajve të këtij dimri do të kemi nevojë për import të energjisë dhe ky import me çmim të pesëfishuar (sipas zyrtarëve të KEDS-it) si pasojë e krizës do ta bëjë energjinë elektrike shumë të shtrenjtë, kur rishikohen tarifat gjatë prillit të vitit të ardhshëm. Parashikimet globale janë që kriza energjetike të zgjasë më së paku deri në qershor të vitit të ardhshëm.
Sipas statistikave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës rezulton se 60% të konsumit të energjisë e përbëjnë amvisnitë dhe 9% konsumatorët, ndërsa konsumin tjetër e përbëjnë komercialët, industria dhe ndërmarrjet publike. Natyrisht që krizat, çfarëdoqofshin ato, e sidomos kriza energjetike godet më së shumë familjet me të ardhura të vogla. Sipas të dhënave të siguruara nga ATK, afërsisht 11 mijë persona në Kosovë kanë të ardhura mujore jo më shumë se 80 euro, ndërsa afërsisht 100 mijë persona të tjerë, kanë të ardhura mujore në shumën mes 80-250 euro. Paga të tilla nuk janë as për së afërmi të mjaftueshme për ta përballuar koston e jetës edhe pa këtë krizë energjetike dhe rritjen e çmimeve të konsumit. E do të jenë absolutisht të pamjaftueshme për ta përballuar koston e re të shtrenjtuar..
Qeveria e Republikës së Kosovës duhet ta ndjek këtë krizë me seriozitet dhe të veprojë më kohë në sanimin e kostos së saj. Kërkesa nga qeveria për ikje nga ngrohja me energji elektrike do të kishte kuptim nëse alternativat do të ishin më të mira. Sot në Kosovë alternativat ndaj ngrohjes së shtëpive me energji elektrike mund të jenë vetëm thëngjilli dhe lëndët drurore. Çmimi i tyre do të rritet me rritjen e kërkesës për ato. Për më tepër ngrohja me thëngjill gjatë muajve të dimrit shndërrohet në njërën prej ndotësve më të mëdhenjë të ajrit në vendbanimet e Kosovës, veçanërisht në Prishtinë. E përdorimi i lëndëve drurore mbetet një prej shkatërruesve më të mëdhenj të pyjeve të Kosovës.
Përderisa vendet sikur Shqipëria, por edhe vendet e BE-së, tashmë kanë filluar të marrin masa në këtë drejtim, në Kosovë nuk ka asnjë diskutim publik për ballafaqim me krizën.
Vendet e BE-së kanë ndarë qindra miliona për ta absorbuar goditjen e krizës energjetike. Britania e Madhe ka ndarë 680 millionë euro; Franca, 580 milionë euro; Greqia, 500 milion euro, e kështu me radhë. Ndërkohë që Qeveria e Shqipërisë ka nxjerrë një Plan kundërveprimi me këto 3 pika:
1. Garantimi i furnizimit të pandërprerë me energji elektrike për të gjithë.
2. Mbrojtja e familjeve dhe biznesin e vogël nga rritja e çmimit të energjisë elektrike.
3. Garantimi i fondit të nevojshëm likuid për ndërveprimin me tregun e energjisë elektrike, përfshi këtu garanci sovrane të shtetit dhe fonde 100 milionë euro për OSHEE-në në fund të këtij viti dhe 100 milionë në fillim të vitit tjetër.
Është urgjente që Qeveria e Republikës së Kosovës ta miratojë një plan krize për t’u përballur me krizën energjetike. Duhet që sa më parë të kemi mundësi që të sigurojmë furnizim të pandërprerë me energji elektrike për amvisëritë dhe ekonominë tonë, të mirëmbajmë çmimet e përballueshme veçanërisht për familjet në nevojë, si dhe të kujdesemi që kriza energjetike të mos e dëmtojë pakthyeshëm likuiditetin dhe afarizmin e ndërmarrjeve tona për t’i ruajtur kështu vendet e punës.
Prishtinë, 21 tetor 2021