- November 25, 2020
- Posted by: Instituti Musine
- Category: Balline
Instituti për Politika Sociale « Musine Kokalari » shpreh solidaritet me dëshminë e Baton Grezda, që punon si kuzhinier.
Është për t’u vlerësuar guximi dhe përgjegjësia qytetare e Batonit i cili megjithë pasojat e mundshme për punën e tij, ka vendosur ta denoncojë publikisht faktin se punëtorët e sektorit të tij detyrohen të punojnë pa kontratë pune, apo se nuk ju paguhen kontributet pensionale dhe puna jashtë orarit. Pa harruar abuzimet deri në detyrimin për të pastruar banjot apo për t’i kryer shërbime private pronarëve.
Por, Batoni nuk po flet vetëm për vete. Ka shumë punëtor të tillë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë të cilët trajtohen në këtë mënyrë, sikur të jenë pronë e pronarit. Kjo është pabarazia e skajshme që po ndërtohet në ekonominë e Republikës së Kosovës, ku kapitali akumulohet drejtpërdrejt përmes shtypjes së punëtorit, mospagimit të punës së tij dhe keqpërdorimit të pozitës së tij.
Edhe më keq, Batonin dhe kolegët nuk e mbronë kush. Shteti vendoset në anën e pronarit, ndërkohë që punëtorët e tjerë heshtin prej frikës. Edhe ata të eksploatuar. Por, për shkak se të vetmuar, ndihen të pafuqishëm.
Republika e Kosovës ka nevojë urgjente për sindikata shumë më të fuqishme në anëtarësi, shumë më aktive në angazhim, shumë më të qarta e të vendosura në artikulim dhe në kërkesa. Një numër i madh i punëtorëve sot nuk janë të sindikalizuar. Sektorët që më shumti punësojnë (sikur ndërtimtaria, sektori bankar, shitja me pakicë, ndërmarrjet prodhuese, hotelieria) janë gati tërësisht të paorganizuara sindikalisht. Nuk mjafton as për së afërmi Sindikata e sektorit privat (emër e formë e çuditshme e organizimit, thuajse sektori privat është homogjen). Ndërkohë që po këto sektorë janë kampion të eksploatimit të punëtorëve.
Ndërkohë, Republika e Kosovës ka një Inspektorat gati tërësisht impotent. Së pari ka shumë pak inspektorë karshi nevojave. Së dyti ka shumë punëtorë që kanë pasur kërkesa në Inspektorat e të cilët e fajësojnë korrupsionin si problem madhor të inspektorëve. Nuk ka rëndësi nëse janë të vërteta ose jo këto përvoja të punëtorëve individualisht. E vërtetë e dukshme është se institucionet publike në Kosovë asnjëherë nuk e kanë punëtorin në qendër. Dhe në secilën situatë janë në anën e pronarëve (dhe atë në anën e disa pronarëve).
Por nuk mjafton vetëm inspektorati. Kosova ka nevojë urgjente për një Gjykatë të profilizuar për Punë. Gjykatë që merret ekskluzivisht me çështjet e marrëdhënieve të punës dhe respektimin e të drejtave të punëtorëve. Kësisoj këto çështje mund të bëhen prioritet i sistemit tonë gjyqësor. Përndryshe vazhdimisht këto anashkalohen deri në parashkrim. Dhe në anën tjetër Sindikata aktive e të zëshme të cilat i bëjnë bashkë punëtorët për t’i fuqizuar ata dhe bëjnë bashkë kapacitetet për luftën sociale e gjyqësore për të mirën e punëtorëve.
Prandaj, institucionet publike duhet domosdoshmërisht ta luajnë rolin e arbitrit mes kapitalit dhe punës, për të siguruar që punëtorët të trajtohen në mënyrë të denjë dhe të barabartë.